8.8 C
Skopje
E martë, 11 Shkurt, 2025

Brenda qendrave të paraburgimit të Assadit ku “vdekja ishte e keqja më e vogël” (foto)

Ditë pas rënies së regjimit të Bashar al-Assadit, Zahra – tani 33 vjeç – erdhi për ta vizituar Degën 215, një objekt paraburgimi i drejtuar nga inteligjenca ushtarake në Damask ku u mbajt për dy muaj. Ai hyri në qelinë pa dritare, 4 me 4 metra, ku thotë se e mbajtën me 100 të burgosur të tjerë. “Vdekja ishte e keqja më e vogël”, tha ai. “Ne arritëm në një moment ku vdekja dukej më e lehtë sesa të qëndronim këtu për një minutë”.

I lidhur me pranga dhe i ulur në dysheme, Abdullah Zahra pa tymin që dilte nga trupi i shokut të tij të qelisë, teksa torturuesit i jepnin goditje elektrike.

Pastaj ishte radha e Zahras. Ata e varën studentin 20-vjeçar nga kyçet e dorës derisa gishtat e këmbëve mezi prekën dyshemenë. E goditën me rrymë dhe e rrahën për dy orë. E detyruan të atin ta shikonte dhe e tallnin për torturën që ia shkaktonin të birit.

Ishte viti 2012 dhe i gjithë aparati i sigurisë i presidentit të atëhershëm të Sirisë, Bashar al-Assad u angazhua për t’i shtypur protestat që kishin nisur kundër sundimit të tij.

Me rënien e Assadit një muaj më parë, “makineria e vdekjes” që ai drejtoi dikur  ka filluar të dalë në shesh.

Ajo ishte sistematike dhe e organizuar mirë, duke u përdorur në më shumë se 100 objekte paraburgimi ku tortura, brutaliteti, dhuna seksuale dhe ekzekutimet masive ishin të shfrenuara, tregojnë aktivistët, grupet të të drejtave të njeriut dhe ish të burgosurit. Agjentët e sigurisë nuk kursyen askënd, madje as vetë ushtarët e Assadit. Të rinjtë dhe të rejat u ndaluan, sepse thjesht jetonin në rrethe ku mbaheshin protesta.

Teksa dhjetëra mijëra u zhdukën gjatë më shumë se një dekade, petku i frikës e mbajti të heshtur popullatën siriane. Njerëzit rrallë i thanë dikujt se një i afërm  ishte zhdukur nga frika se edhe ata mund të raportoheshin në agjencitë e sigurisë.

Tani, të gjithë po ngrenë zërin. Kryengritësit që hoqën Assadin nga pushteti hapën objektet e paraburgimit, duke liruar të burgosurit dhe duke lejuar publikun t’i shohë gjërat. Turmat u mblodhën, duke kërkuar përgjigje, trupat e të dashurve të tyre dhe mënyra për t’u shëruar.

Associated Press vizitoi shtatë nga këto objekte në Damask dhe foli me nëntë ish-të burgosur, disa të liruar më 8 dhjetor, ditën kur Assadi u rrëzua. Disa detaje të rrëfimeve nga ata që folën me AP-në nuk mund të konfirmoheshin në mënyrë të pavarur, por ato përputheshin me dëshmitë e kaluara dhënë nga ish të burgosurit.

Ditë pas rënies së Assadit, Zahra – tani 33 vjeç – erdhi për ta vizituar Degën 215, një objekt paraburgimi i drejtuar nga inteligjenca ushtarake në Damask ku u mbajt për dy muaj. Nëpërmjet një grope nën dhe, ai hyri në qelinë pa dritare, 4 me 4 metra, ku thotë se e mbajt me 100 të burgosur të tjerë.

“Vdekja ishte e keqja më e vogël”, tha ai. “Ne arritëm në një moment ku vdekja ishte më e lehtë sesa të qëndronim këtu për një minutë”.

Sistemi i represionit të Assadit u rrit, lufta civile u ndez

Zahra u arrestua së bashku me babanë,  pasi agjentët e sigurisë vranë një nga vëllezërit e tij, artist i njohur grafitesh anti-Assad. Pasi u liruan, Zahra iku në zonat e kontrolluara nga opozita. Brenda pak muajsh, agjentët e sigurimit i kapën dhe i tërhoqën zvarrë 13 nga të afërmit e tij burra, duke përfshirë një vëlla më të vogël dhe, përsëri, babanë e tij.

I sollën në Degën 215. Të gjithë u torturuan dhe u vranë. Zahra më vonë i njohu trupat e tyre mes fotove të zbuluara nga një dezertor që tregonin kufomat e mijëra të vrarëve ndërsa ishin në paraburgim. Trupat e tyre nuk u gjetën kurrë dhe asnjëherë nuk u mor vesh kur dhe si vdiqën.

Grupet e të drejtave vlerësojnë se të paktën 150 mijë njerëz u zhdukën pasi protestat antiqeveritare filluan në vitin 2011, shumica e të cilëve u zhdukën në rrjetin e burgjeve të Assadit. Shumë prej tyre u vranë, qoftë në ekzekutime masive, qoftë nga torturat dhe kushtet e burgut. Numri i saktë mbetet i panjohur.

Edhe para kryengritjes, Assadi kishte sunduar me grusht të hekurt. Por ndërsa protestat paqësore u kthyen në një luftë civile të plotë që do të zgjaste 14 vjet, Assadi zgjeroi me shpejtësi sistemin e tij të represionit.

Objektet e reja të paraburgimit u ngritën në komplekset e sigurisë, aeroportet ushtarake dhe nën tokë – të gjitha të drejtuara nga ushtria, agjencitë e sigurisë dhe të inteligjencës.

Duke vizituar vendin e torturës dhe ndalimit të tij, Zahra shpresonte të gjente ndonjë shenjë të të afërmve të tij të humbur. Por nuk kishte asgjë. Në shtëpi, tezja e tij, Rajaa Zahra, pa për herë të parë fotot e fëmijëve të saj të vrarë. Ajo kishte refuzuar të shikonte fotot e zbuluara më parë. Ajo humbi tre nga gjashtë djemtë e saj në Degën 215 dhe një i katërt u vra në një protestë. Vëllai i saj, tha ajo, kishte tre djem, tani i ka mbetur vetëm një.

“Ata donin t’i shkatërronin të gjithë të rinjtë e vendit”.

Metodat e torturimit

Torturat kishin emra. Njëri quhej “qilim magjik”, ku një i burgosur lidhej për një dërrase druri, e cila palosej duke i bërë bashkë kokët dhe këmbët. Me pas ata rriheshin.

Abdul-Karim Hajeko tha se ai e duroi këtë pesë herë. Gjatë marrjes në pyetje, torturuesit e tij  e kanë shkelur në shpinë dhe rruazat e tij janë ende të thyera.

“Britmat e mia dëgjoheshin në qiell.  Një herë një mjek zbriti nga kati i katërt si shkak i britmave të mia”, tha ai.

Ai gjithashtu u fut në “gomë”. Këmbët e tij ishin të përkulura brenda një gome makine, ndërsa hetuesit rrahën shpinën dhe këmbët me një shkop plastik. Kur mbaruan, tha ai, një rojë e urdhëroi të puthte gomën dhe ta falënderonte që e mësoi “si të sillej”. Hajeko më vonë u dërgua në burgun famëkeq Saydnaya, ku u mbajt për gjashtë vjet.

Shumë të burgosur thanë se “goma” u përdor për shkelje të rregullave – si zhurma, ngritja e kokës para rojeve ose lutja – ose pa asnjë arsye.

Mahmoud Abdulbaki, një nënoficer i forcave ajrore që u largua nga shërbimi, u fut në gomë gjatë ndalimit në një strukturë të policisë ushtarake. Ata e detyruan të numëronte goditjet – deri në 200 – dhe nëse bënte një gabim, torturuesi do të fillonte nga e para.

Ai u mbajt më vonë në Saydnaya, ku tha se rojet do të terrorizonin të burgosurit duke rrokullisur një gomë në korridorin e mbushur me qeli dhe duke rrahur hekurat me shkopinjtë e tyre. Kudo që të ndalonte, e gjithë qelia do t’i nënshtrohej gomës.

Gjithsej, Abdulbaki kaloi gati gjashtë vjet në burg për periudha të ndryshme. Ai ishte në mesin e atyre që u liruan në ditën kur Assad iku nga Siria.

Saleh Turki Yahia tha se nga një shok qelie vdiq pothuajse çdo ditë gjatë shtatë muajve të vitit 2012 që ai mbahej në Degën e Palestinës, një objekt paraburgimi i drejtuar nga Agjencia e Përgjithshme e Inteligjencës.

Ai tregoi se si një burrë u gjakos në qeli për ditë të tëra pasi u kthye nga një seancë torture.

“Kur të burgosurit u përpoqën ta lëviznin, plaga iu hap nga shpina dhe ai vdiq”, tha ai.

Yahia tha se ai u torturua me elektroshok,  e varën nga kyçet e dorës, e rrahën në këmbë. Ai humbi gjysmën e peshës së tij trupore dhe lëkurën e trupit  e kishte komplet të çarë.

“Ata na thyen”,  tha ai, duke shpërthyer në lot. “Shikoni Sirinë, të gjithë janë pleq… Një brez i tërë është shkatërruar”.

Por me largimin e Assadit, ai ishte kthyer për të vizituar Degën e Palestinës.
Rasha Barakat, 34 vjeçe, tha se ajo dhe motra e saj u arrestuan në mars nga shtëpitë e tyre në Saqba, një qytet jashtë Damaskut.

Brenda një dege sigurie, ajo kaloi pranë bashkëshortit të saj, i cili ishte arrestuar disa orë më parë dhe po merrej në pyetje. Ai ishte i gjunjëzuar në dysheme, tha ajo. Ishte hera e fundit që e pa. Ai vdiq në paraburgim.

Gjatë marrjes në pyetje të saj prej disa orësh, tha ajo, agjentët e sigurisë kërcënuan se do t’i sillnin djemtë e saj, 5 dhe 7 vjeç, nëse ajo nuk rrëfente. Ajo u rrah. Agjentet femra të sigurimit e zhveshën dhe i derdhën ujë të ftohtë, duke e lënë të dridhej lakuriq për dy orë. Ajo kaloi tetë ditë në izolim, duke dëgjuar rrahjet aty pranë.

Përfundimisht ajo u dërgua në Adra, burgu qendror i Damaskut, u gjykua dhe u dënua me pesë vjet për mbështetje të grupeve rebele, akuza që ajo tha se ishin të sajuara.
Atje ajo qëndroi derisa kryengritësit hynë në Adra në dhjetor dhe i thanë asaj se ishte e lirë.

Barakat tha se është e lumtur që i sheh sërish fëmijët e saj. Por “jam e shkatërruar psikologjikisht…Ndihem bosh. Është e vështirë të vazhdosh jetën pas asaj që përjeton”

Tani vjen detyra madhore e llogaridhënies për të humburit dhe përpilimi i provave që një ditë mund të përdoren për t’i ndjekur penalisht zyrtarët e Assadit, qoftë nga gjykatat siriane apo ndërkombëtare.
Qindra mijëra dokumente mbeten të shpërndara nëpër ish-ambientet e paraburgimit, shumë prej tyre të klasifikuara. Disa të para nga AP-ja përfshinin transkriptat e bisedave telefonike, madje edhe midis oficerëve ushtarakë; dosjet e inteligjencës për aktivistët; dhe një listë me qindra të burgosur të vrarë në paraburgim.

Shadi Haroun, i cili kaloi 10 vjet i burgosur, ka hartuar strukturën e burgut të Assadit dhe ka dokumentuar përvojat e ish-të burgosurve nga mërgimi në Turqi. Pas rënies së Assadit, ai u kthye me nxitim në Siri dhe vizitoi vendet e paraburgimit.

Dokumentet, tha ai, tregojnë burokracinë prapa vrasjeve.

“Ata e dinë se çfarë po bëjnë, gjithçka është e organizuar.”

Punonjësit e mbrojtjes civile po gjurmojnë varret masive ku besohet se janë varrosur dhjetëra mijëra. Të paktën 10 janë identifikuar rreth Damaskut, kryesisht nga raportet e banorëve, dhe pesë të tjerë ngado në mbarë vendin. Autoritetet thonë se nuk janë gati t’i hapin ato.

Një organ i OKB-së i njohur si “Mekanizmi Ndërkombëtar i Paanshëm dhe i Pavarur” ka ofruar ndihmë për administratën e re të përkohshme të Sirisë në mbledhjen, organizimin dhe analizimin e të gjithë materialit. Që nga viti 2011, ajo ka përpiluar prova dhe ka mbështetur hetimet në mbi 200 çështje penale kundër figurave në qeverinë e Assadit.

Robert Petit, drejtor i organit të OKB-së, tha se detyra është aq e madhe sa askush nuk mund ta bëjë atë i vetëm. Prioriteti do të ishte identifikimi i arkitektëve të brutalitetit.

Shumë sirianë duan përgjigje tani.

Zyrtarët nuk mund të deklarojnë vetëm se të zhdukurit supozohen se kanë vdekur, tha Wafaa Mustafa, një gazetare siriane, babai i së cilës u arrestua dhe u vra 12 vjet më parë.

“Askush nuk mund t’u tregojë familjeve se çfarë ndodhi pa prova, pa kërkim, pa punë”.

Të ngjajshme

Të fundit