11.8 C
Skopje
E mërkurë, 4 Nëntor, 2026

Brukseli kritikon RMV-në: Drejtësia, k0rrupsioni dhe të drejtat e shqiptarëve mbeten problem!

Maqedonia e Veriut mbetet jashtë grupit të vendeve kandidate që do të përfitojnë udhërrëfyes të posaçëm për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Komisioni Evropian në raportin e ri të progresit thekson se Shkupi nuk ka ndërmarrë asnjë hap për ndryshimet kushtetuese. Krahas kësaj, Brukseli evidenton edhe probleme të pazgjidhura në zbatimin praktik të të drejtave gjuhësore, përfshirë përdorimin e gjuhës shqipe, si dhe në përfaqësimin e drejtë të komuniteteve joshumicë në institucionet shtetërore.

Në grupin e vendeve që do të përfitojnë vëmendje të veçantë në procesin e përshpejtimit të integrimit evropian përfshihen Mali i Zi, Shqipëria, Moldavia dhe Ukraina.

Sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, raporti i këtij viti mund të jetë i fundit për Malin e Zi në këtë format, pasi propozohet që në qershor të vitit të ardhshëm ky vend të nënshkruajë marrëveshjen e anëtarësimit në BE. Ndërkohë, Maqedonia e Veriut vazhdon të mbetet larg perspektivës së afërt të anëtarësimit, pavarësisht disa vlerësimeve pozitive në raport.

Ndryshimet kushtetuese, pengesa kryesore

Komisioni Evropian thekson se gjatë periudhës së raportimit nuk është ndërmarrë asnjë përpjekje për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, të përcaktuara në konkluzionet e Këshillit të BE-së të 18 korrikut 2022.

Sipas raportit, Maqedonia e Veriut është zotuar t’i nisë dhe t’i zbatojë këto ndryshime, me qëllim përfshirjen në Kushtetutë të qytetarëve që jetojnë brenda kufijve të shtetit dhe u përkasin popujve të tjerë, përfshirë bullgarët.

KE vlerëson se nevojiten përpjekje të konsiderueshme për të krijuar një klimë dialogu dhe respekti të ndërsjellë me Bullgarinë. Kritika ka edhe për punën e Komisionit të përbashkët historik, i cili, sipas Brukselit, nuk ka prodhuar rezultate konkrete.
Komisioni rekomandon vazhdimin e dialogut mes dy vendeve, veçanërisht në kuadër të bashkëpunimit për Korridorin 8 dhe projektet që lidhen me të.

Një tjetër vërejtje ka të bëjë me respektimin e marrëveshjeve me vendet fqinje. KE rikujton se Marrëveshja e Prespës me Greqinë dhe Marrëveshja për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim me Bullgarinë duhet të zbatohen me vullnet të mirë nga të gjitha palët.
Në raport thuhet se disa anëtarë të Qeverisë dhe zyrtarë të lartë, në raste të caktuara, nuk e respektojnë Marrëveshjen e Prespës, duke mos përdorur emrin kushtetues të shtetit. Sipas KE-së, një sjellje e tillë mund të ndikojë negativisht në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

Gjykatat dhe korrupsioni, shqetësimet më serioze

Përveç çështjes së ndryshimeve kushtetuese, problemet më të mëdha të Maqedonisë së Veriut në rrugën evropiane mbeten sundimi i ligjit, pavarësia e gjyqësorit dhe lufta kundër korrupsionit.

Komisioni Evropian shpreh shqetësim për ndërhyrjet politike në gjykata, duke theksuar se deklaratat provokuese të politikanëve të lartë për planet e tyre për “pastrimin” e gjyqësorit dhe prokurorisë, si dhe kritikat personale ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, përbëjnë ndikim të papranueshëm dhe frikësim.

Raporti përmend edhe reagimin e përbashkët të Gjykatës Supreme, Këshillit Gjyqësor dhe Shoqatës së Gjyqtarëve në nëntor të vitit 2025, të cilët kishin paralajmëruar se kritikat e vazhdueshme dhe të pabazuara nga nivelet më të larta të pushtetit cenojnë ndarjen e pushteteve dhe pavarësinë e gjyqësorit.

KE kërkon përshpejtimin e zbatimit të Strategjisë për Reforma në Drejtësi, zbatimin e ligjeve të reja për Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin e Prokurorëve Publikë, si dhe plotësimin e vendeve të lira në gjykata e prokurori.

Edhe korrupsioni vlerësohet si problem i përhapur dhe shqetësim serioz. Komisioni thekson se ndryshimet e Kodit Penal të janarit 2026 nuk i kanë eliminuar pasojat negative të ndryshimeve të vitit 2023, veçanërisht në lidhje me keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe parashkrimin e ndjekjes penale.

Sipas KE-së, dispozita e rikthyer për keqpërdorimet në prokurimet publike ka fushëveprim tepër të ngushtë dhe nuk përfshin të gjitha format serioze të manipulimeve procedurale.

“Rastet e korrupsionit të nivelit të lartë vazhdojnë të përballen me vonesa dhe shpesh arrijnë afatin e parashkrimit, duke kontribuar në perceptimin e pandëshkueshmërisë”, thuhet në raport.

Për vitin e ardhshëm, Maqedonia e Veriut rekomandohet të miratojë Kod të ri Penal dhe Ligj të ri për Procedurën Penale, në përputhje me legjislacionin e BE-së dhe standardet ndërkombëtare. Gjithashtu kërkohet forcimi i hetimeve dhe ndjekjeve penale për korrupsionin e nivelit të lartë, konfiskimi i pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme dhe pajisja e institucioneve përkatëse me burime të mjaftueshme njerëzore e financiare.

Kritika edhe për të drejtat e njeriut, burgjet dhe median

Raporti evidenton raste të frikësimit të organizatave të shoqërisë civile dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut, përfshirë ngacmimet online dhe fushatat e shpifjeve.

Një shqetësim tjetër mbetet dhuna me bazë gjinore, duke përfshirë dhunën në familje, atë psikologjike, ekonomike dhe kibernetike, si dhe femicidin.

Komisioni vlerëson se nuk janë ndërmarrë hapa të mjaftueshëm për harmonizimin me legjislacionin e BE-së në fushën e mosdiskriminimit dhe barazisë gjinore. Pavarësisht renovimit të disa objekteve, gjendja e përgjithshme në burgje vazhdon të jetë e rëndë.
Sa i përket Kuvendit, KE vëren se, megjithëse ekziston një Rregullore e qartë e punës, Parlamenti sërish nuk ka arritur të miratojë agjendën e tij vjetore.

Edhe administrata publike përballet me mangësi. Ligji për shërbimin e lartë drejtues, sipas raportit, ka probleme serioze në përbërjen e komisioneve përzgjedhëse, metodologjinë e rekrutimit dhe kriteret objektive për shkarkimin e drejtuesve.
Në fushën e medias, Komisioni kërkon transparencë të plotë për pronësinë e mediave dhe shpërndarjen e fondeve publike për reklamim shtetëror. Gjithashtu kërkohet që institucionet të reagojnë në kohë ndaj kërcënimeve dhe akteve të dhunës kundër gazetarëve dhe autorët të nxirren para drejtësisë.

Marrëdhëniet ndëretnike stabile, por problemet me gjuhën shqipe dhe përfaqësimin mbeten të hapura
Në pjesën që trajton marrëdhëniet ndëretnike, Komisioni Evropian vlerëson se situata në vend mbetet përgjithësisht stabile dhe se Marrëveshja Kornizë e Ohrit vazhdon të zbatohet, ndonëse sfidat nuk mungojnë.

Megjithatë, Komisioni evidenton sfida të pazgjidhura në realizimin praktik të të drejtave gjuhësore dhe përfaqësimin e komuniteteve joshumicë. Në këtë kontekst përmenden protestat e studentëve shqiptarë të drejtësisë, të cilët kërkuan mundësinë e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Sipas Komisionit, kjo çështje ka nxitur debat më të gjerë për zbatimin e të drejtave gjuhësore dhe përfaqësimin e drejtë në institucionet shtetërore.

Vërejtje ka edhe për mosmiratimin e Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, i propozuar pas shfuqizimit të mekanizmit të “balancuesit” nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2024. Komisioni konstaton se miratimi i tij vazhdon të mbetet i bllokuar për shkak të mungesës së shumicës së nevojshme sipas parimit të Badenterit.

Ndërkaq, Maqedonia e Veriut vlerësohet pozitivisht për harmonizimin me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, por kërkohet të adresohen problemet që lidhen me zbatimin e masave kufizuese evropiane dhe vonesat mes harmonizimit dhe hyrjes së tyre formale në fuqi.

Në raport kritikohet edhe zbatimi i Ligjit për Qasje të Lirë në Informacione me Karakter Publik. Sipas KE-së, disa institucione publike vazhdojnë të refuzojnë kërkesat ose të vonojnë dhënien e informacioneve për arsye arbitrare.

Në fund, Komisioni Evropian kërkon nga Maqedonia e Veriut të shënojë përparim konkret edhe në luftën kundër prodhimit dhe trafikimit të drogës.

Në tërësi, raporti i Komisionit Evropian përcjell një mesazh të qartë: Maqedonia e Veriut vazhdon të përballet me pengesa serioze në rrugën drejt BE-së. Përveç ndryshimeve kushtetuese, Brukseli kërkon reforma të thella në drejtësi, rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe zgjidhje për çështjet e hapura që lidhen me të drejtat gjuhësore dhe përfaqësimin e komuniteteve joshumicë. (INA)