Deri më tani nuk kemi bërë mjaftueshëm që ekonomia të jetë konkurruese në nivel global. Kemi mangësi ose jemi shumë të varur nga importi ose na mungojnë resurset e mjaftueshme, qoftë njerëzore apo të tjera, dhe jo gjithmonë kemi politika të qarta, të sakta dhe me kohë, theksoi zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyqi në panelin “Si për të arritur uljen e inflacionit dhe rritjen në të njëjtën kohë të ekonomisë” në kuadër të konferencës “Sfidat ekonomike në vitin 2023: si ta ruajmë rritjen ekonomike dhe transformojmë ekonominë”, organizuar nga Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut.
Ai theksoi se duhet të ndryshojmë ngadalë strukturën ekonomike të vendit tonë.
“Edhe pse ka përmirësim, katër vitet e fundit të krizës na kanë treguar se duhet të kemi një qëllim – të krijojmë një ekonomi më konkurruese. Në një vit të menaxhimit të krizës, mund të flitet për prioritete dhe masa afatshkurtra, por mendoj se është koha të flasim si për prioritetet afatshkurtra ashtu edhe për ato afatgjata. Afatshkurtër duhet të drejtohen për të plotësuar nevojat ditore në mënyrë që të mos na lejohet të hyjmë në recesion. Afatgjatë, nga ana tjetër, duhet t’i përgjigjet parashikueshmërisë, tha Bytyqi dhe shtoi se nuk ka parashikueshmëri nëse nuk ka prioritete afatgjata dhe të qarta.
Si prioritet të parë afatshkurtër, ai vuri në dukje mbajtjen e inflacionit në normat e parashikuara, ndërsa si të dytën – përballjen me krizën energjetike.
Si prioritet të tretë afatshkurtër, ai vuri në dukje ndihmën për ruajtjen e likuiditetit të kompanive dhe shtoi se në vitin 2022, që ishte një krizë, janë dhënë 30 milionë euro për mbështetjen e investimeve, që është më së shumti deri tani, me ç’rast 98 për qind e kompanive të mbështetura janë kompani vendase që kanë guxuar të bëjnë investime vitin e kaluar. Prioriteti i katërt afatshkurtër, theksoi ai, është ballafaqimi me mungesën e fuqisë punëtore, e cila është prioritet kyç për përmirësimin e produktivitetit.
“Jemi nga vendet e pakta ku ka papunësi të lartë, ndërsa ka mungesë të fuqisë punëtore. Këtë vit njëherë e përgjithmonë do të hapim temën tabu se a mund të importojmë fuqi punëtore në vendin tonë për të rritur produktivitetin dhe konkurrencën e ekonomisë”, paralajmëroi Bytyqi.
“Prandaj duhet të ndryshojmë qasjen. Ne nuk mund të luftojmë gjatë gjithë kohës për të mbrojtur fuqinë tonë punëtore të papunë, ndërkohë që ata refuzojnë të punojnë dhe ekonomia vuan. Ne nuk mund të kemi as investime publike nëse nuk kemi importe të fuqisë punëtore në vend. Fatkeqësisht, kjo është situata dhe duhet ta përballojmë njëherë e mirë”, theksoi Bytyqi.
Si prioritet afatgjatë, ai theksoi strategjinë 20-vjeçare të zhvillimit kombëtar për zhvillimin e shtetit, procesi i krijimit të së cilës filloi një vit më parë.
