Klubi i Basketbollit për Femra Shkupi ka reaguar publikisht pas vendimit të Komunës së Çairit për t’ia ndaluar përdorimin e palestrës sportive “Shaban Trstena”, informon POPULLI.mk
Sipas klubit, kjo është hera e tretë radhazi që sezoni nis pa mbështetje institucionale nga komuna, duke mos lejuar qasjen në objektin e vetëm që mund të shfrytëzohej për stërvitje dhe ndeshje.
“Komuna e Çairit na ka mbyllur dyert që tre sezone radhazi. Ne jemi i vetmi klub basketbolli për femra në këtë komunë. Kjo nuk na ndali – vazhduam garat edhe pa kushte, pa palestër, pa mundësi për stërvitje. Nuk u ndalëm!” – thuhet në reagimin e fortë të klubit në rrjetet sociale.
KB Shkupi, i njohur për punën me vajza të reja në sport, e ka cilësuar këtë vendim si një padrejtësi ndaj “princeshave të Shkupit”, të cilat sipas tyre, “po i pengojnë Komunës së Çairit”.
Pavarësisht sfidave dhe mungesës së përkrahjes institucionale, klubi zotohet të vazhdojë rrugën me përkushtim dhe pasion: “Shkupi – One Love, One Team, One City.” / © POPULLI.mk