28.8 C
Skopje
E hënë, 9 Qershor, 2025

Çairi po mbytet në mbeturina, Ganiu i gatshëm të veprojë por pengohet!

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, ka reaguar publikisht lidhur me gjendjen alarmante të mbeturinave në këtë komunë, duke e cilësuar situatën si të papranueshme për një jetë dinjitoze. Në një deklaratë drejtuar qytetarëve, Ganiu thekson se problemet me pastrimin nuk janë të reja, por muajt e fundit kanë marrë përmasa shqetësuese, informon POPULLI.mk

“Ju, qytetarët, i paguani rregullisht taksat, por ndërmarrja publike e higjienës nuk e përmbush detyrimin e saj ligjor. Në të kaluarën kishim 530 kontejnerë për mbeturina, ndërsa sot janë vetëm 320 – mungojnë 210. Nuk ka as përgjegjësi, as sqarime për këtë situatë,” thekson Ganiu.

Ai denoncon faktin se pastrohen vetëm kontejnerët, ndërsa mbeturinat që grumbullohen përreth tyre mbeten pa u pastruar. Sipas tij, Komuna ka tentuar të ndërhyjë për të pastruar hapësirat publike, por kjo është penguar pa ndonjë arsye të qartë.

“Nëse ndërmarrja nuk ka kapacitet, ne jemi të gatshëm për bashkëpunim institucional. Kërkojmë vetëm një gjë: të na lejohet të veprojmë në interes të qytetarëve,” deklaron kryetari i Çairit.

Ai i bën thirrje drejtorit të NP “Higjiena Komunale” dhe kryetares së Qytetit të Shkupit që të mos pengojnë zgjidhjen e problemit, por të lejojnë komunën të veprojë. Ganiu thotë se Komuna e Çairit është e gatshme të sigurojë vetë kontejnerë dhe të ndërmarrë pastrimin, nëse institucionet përkatëse nuk kanë mundësi ta bëjnë këtë.

“Nuk është koha për inate politike. Çdo pengesë i dëmton qytetarët. Çairi është shtëpia jonë dhe shtëpia pastrohet bashkë – me vullnet, me përgjegjësi dhe me respekt për qytetarët,” përfundon deklaratën e tij Visar Ganiu. / © POPULLI.mk

Të ngjajshme

Të fundit