19.8 C
Skopje
E diel, 8 Shtator, 2024

Çashkë, protestat nuk lejojnë të mbahet mësim!Deputeti i LSDM Muhamed Kadriu fajin e hedhë mbi ministrin e arsimit Jeton Shaqiri

Jemi para shkollës fillore “Todor Janev” këtu në Çashkë të Velesit. Prapa meje mund të shihni një grup prindërish të etnitetit maqedonas të cilët protestojnë, dhe lëre që nuk i sjellin fëmijët e tyre që të ndjekin mësimin, ata nuk i lejojnë që të hyjnë në shkollë kuadrin mësimdhënës por edhe drejtoreshën e shkollës”, raporton Zekirija Haxhiu – gazetar i TV21.

Në këtë mënyrë sot në mëngjes u penguan të hyjnë në vendin e punës, drejtoresha dhe mësimdhënësit e shkollës fillore “Todor Janev” në Çashkë të Velesit. Ata kërkonin dorëheqje nga drejtoresha Nikollovska.

Prindërit e fëmijëve të komunitetit maqedonas, përpos që nuk i sjellin më fëmijët e tyre në shkollë, bllokojnë edhe punën e mësimdhënësve. Nga ana tjetër nxënësit shqiptarë arritën në kohë për mësim, por meqenëse nuk mundeshin të hyjnë arsimtarët, ata pas një ore u larguan për në shtëpi.

Arsimtari i vetëm shqiptar i kësaj shkolle, Besmir Xhaferi, thotë se prindërit në realitet nuk janë kundër drejtoreshës por kundër paraleles shqipe.

“Ata thonë se protestojnë kundër drejtoreshës por nuk është e vërtetë, ata protestojnë kundër paraleles shqipe. Ne duhet të jemi në vendin e punës, duhet të jemi brenda mirëpo ja i shihni edhe vet, edhe policia nuk reagojnë. Janë 20 policë aty dhe asnjëri nuk e hapë rrugën ne të hyjmë brenda. Ato janë nxënësit që humbin më shumë sepse qe tre javë nuk ndjekin mësimin, as fëmijët maqedonas as ato shqiptarë”, pohoi Besmir Xhaferi – arsimtar në “Todor Janev”.

Meqenëse kjo problematikë ka marë konotacion etnik dhe politik, pyetëm deputetin e LSDM-së që vjen pikërisht nga kjo zonë, Muhamet Kadriov, pse ai qëndron indiferent dhe nuk përpiqet të qetësojë situatën. Ai për këtë situatë të krijuar, fajin e hedhë mbi ministrin e arsimit Jeton Shaqiri, për atë se pse ja mori kompetencat kryetarit të komunës së Çashkës. Sipas tij, komuna sapo kishte filluar projektin për një shkollë të re në Banjicë dhe nxënësit shqiptarë do të transferoheshin atje.

“Zgjidhja është kjo. Së pari t’i kthehen ingerencat kryetarit të komunës. Pastaj ne si politikanë, faktorë të asaj zone, të ulemi dhe ta  gjejmë një zgjidhje. Njëra zgjidhje është të ulemi me prindërit nga Çashka, mendoj se do të pranojnë, që derisa ta ndërtojmë shkollën në Banjicë, fëmijët të mësojnë aty. Vetëm se është hapur paralelja dmth. Të vazhdojnë në gjuhën shqipe derisa në Banjicë të bëjmë një objekt. Shkaku pse unë kam qëndruar indiferent është përshkak se kjo mori konotacion politik, jo ta zgjidhin problemin por të bëjnë problem mbi problem”, theksoi Muhamet Kadriov , deputet i LSDM-së.

Ndërkohë ministri i arsimit Jeton Shaqiri, thotë se ai grup protestuesish nuk mund të vendosin për fatin e fëmijëve në atë shkollë. Sipas tij, mësimi ka filluar dhe do të vazhdojë. Paralajmëron masa tjera.

“Nga unë si ministër është sjellë vendimi, janë marë masat. Ka patur ditë, mësimi ka vijuar dhe ka qenë në vazhdimësi. Nuk do të thotë se nuk do të merren masa edhe në periudhën e ardhshme kohore. Nuk mund të lëmë vullnetin e gjithësecilit ose dikujt atje që është një numër i vogël që të vendosë për fatin se cili në cilën gjuhë duhet të mësojë”, pohoi Jeton Shaqiri – ministër i Arsimit.

Përndryshe protestat para shkollës fillore “Todor Janev” në Çashkë filluan që kur në këtë shkollë u mor iniciativa për hapjen e paraleles shqipe për gjashtë nxënës të klasës së parë. Protestuesit thonë se nuk kanë asgjë kundër nxënësve shqiptarë, por sipas tyre, ata duhet të mësojnë në gjuhën maqedonase, ashtu siç e parasheh statuti i shkollës. Prindërit thonë se vendimi për paralele shqipe është marrë pa konsultimin e këshillit të prindërve, por në këtë shkollë, për momentin nuk ka fare këshill të prindërve. Për të ndërprerë protestat, prindërit kërkojnë procesverbalin nga inspektorati i punës i cili duhet të vërtetojë nëse ka patur ose jo shkelje të rregullores.

 

Të ngjajshme

Të fundit