Atje ku në familje ka më shumë fëmijë, çiftet e reja gjejnë zgjidhje duke blerë apo marrë banesa me qira edhe atë për shkak të dëshirës së tyre që ata të jetojnë në banesa
Dekadën e fundit në qytetin e Dibrës dukshëm ka ndryshuar interesi sidomos i çifteve të reja kur është në pyetje akomodimi i tyre. Pjesa dërmuese e çifteve të reja shpreh dëshirën që të jetojnë në banesa dhe jo në shtëpi. Është një dukuri “moderne” e cila tani më preferohet haptazi. Pas martesave shpeshherë në familjet flitet për jetën e çifteve të reja normalisht ku shumë herë ka edhe debate mes gjeneratave se si dhe duhet të jeton çifti i ri. Atje ku në familje ka më shumë fëmijë, çiftet e reja gjejnë zgjidhje duke blerë apo marrë banesa me qira edhe atë për shkak të dëshirës së tyre që ata të jetojnë në banesa. Atje ku prindërit kanë një fëmijë dhe çifti i ri ka kushte adekuate për jetë, shpeshherë paraqiten debate rreth dëshirës edhe ata të jetojnë në banesa dhe jo në shtëpi.
Për këtë çështje viteve të fundit ka shumë debate në Dibër dhe rrethinë. Është një dukuri shoqërore që nuk mund të lihet me një anë meqë dukshëm gjenerata e re ka ndryshuar përcaktimet të një mënyre tjetër të jetës. Shumë herë për këtë situatë flitet edhe më gjerë meqë dukuria është shumë aktuale. Biseduam me çiftin e ri dibran Erollin dhe Ermirën. Ata para dy vite u martuan dhe jetonin së bashku me prindërit e tyre në një lagje periferike të Dibrës. Erolli punon kurse bashkëshortja e tij jo. Por, në bisedën që patëm me këtë çift të ri u informuam se muajve të fundit ata me përkrahjen financiare të prindërve kanë vendosur që të jetojnë në banesë. Janë akomoduar në një banesë në pjesën e re të Dibrës dhe thonë se jeta në banesë ka qenë një përcaktim i tyre.
“Ne ishim dy vëllezër dhe vendosëm me prindërit që vëlla9i im i vogël të jetoj në bashkësi me prindërit kurse ne të jetojmë në banesë. Shtëpia e prindërve është e madhe me shumë dhoma. Kemi patur kushte shumë të mira, por dëshira e jonë ka qenë të jetojmë në banesë”, thotë Erolli dhe shton se tani jetojnë jetën e tyre ashtu siç e kanë menduar të dy së bashku me bashkëshorten.
Në bisedën që patëm ai sqaroi pse gjeneratat e reja duan të jetojnë në banesa e jo në shtëpi. “Po, e saktë është se çiftet e reja preferojnë jetën në banesa. Qëndron fakti se shtëpitë individuale kanë më shumë obligime. Tani kur tentojmë të dy bashkëshortët të punojnë që të kenë një jetë më të mirë, jeta në banesë është më komode. Poashtu në një situatë në të cilën gjendem edhe unë vet duke pritur punësim të bashkëshortes këto ditë jemi të bindur se edhe harxhimet familjare në banesë do të jenë më modeste. Sigurisht liria e bashkëshortëve është më e madhe në krahasim me jetën në familje më të gjerë”, thotë bashkëbiseduesi i jonë.
Normalisht këtë dukuri nuk e preferon mosha e tretë respektivisht prindërit. Ata gjithmonë duan që fëmijët t’i kenë afër, por në Dibër edhe pse ka pakënaqësi tek prindërit për këtë dukuri, ata ua plotësojnë dëshirën fëmijëve të tyre. (koha.mk)
