Në vend që të fliste për Konventën e Stambollit, dokument thelbësor për mbrojtjen nga dhuna me bazë gjinore dhe barazinë gjinore, kandidatja partiake për Komisionin kundër Diskriminimit, Xhihan Ahmed, gjatë intervistës publike foli për Stambollin dhe periudhën e Ataturkut, duke shkaktuar reagime të ashpra dhe dyshime serioze për profesionalizmin, kompetencën dhe politizimin e këtij institucioni të pavarur, shkruan Portalb.mk.
Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi reagoi ashpër ndaj paraqitjes së kandidates XhihanAhmed, e propozuar për anëtare të Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi, duke vlerësuar se mungesa e njohurive të saj për nocione bazë dhe dokumente ndërkombëtare, përfshirë Konventën e Stambollit, është zhgënjyese dhe shqetësuese.
Nga Rrjeti theksojnë se është veçanërisht problematike që një kandidate e cila duhet të vendosë për barazi dhe mosdiskriminim, përfshirë edhe të drejtat e grave, nuk ka treguar njohuri elementare për Konventën e Stambollit, e cila përfaqëson një dokument thelbësor strategjik për mbrojtjen nga dhuna me bazë gjinore dhe për avancimin e barazisë gjinore.
Për më tepër, siç vërejnë ata, është alarmuese që një person me diplomë master në të drejtën ndërkombëtare nuk i njeh dokumentet relevante ndërkombëtare që duhet të jenë pjesë thelbësore e punës së Komisionit.
Gjatë debatit publik, e pyetur të përmendë elemente të diskriminimit që ekzistojnë në ligje, Ahmed u përgjigj me qëndrime të përgjithshme, duke deklaruar se “secili prej nesh është përballur me diskriminim”, ndërsa si shembull përmendi përvojën e saj personale në arsim dhe në vlerësimin e nxënësve, duke theksuar se për të gjithë nxënësit janë të barabartë dhe se arsyet e mossuksesit shpesh lidhen me mjedisin në të cilin jetojnë.
Reagime shtesë shkaktoi edhe përgjigjja e saj në një pyetje nga përfaqësuesi i Rrjetit, i cili e pyeti se mbi cilin bazament të Konventës së Stambollit do të punonte gjatë mandatit të saj dhe me cilat trupa do të bashkëpunonte në trajtimin e praktikave diskriminuese në arsim.
Në përgjigje, Ahmed foli për Stambollin në kontekst historik dhe për periudhën e Ataturkut, duke përzier tema të ndryshme, pa iu referuar konkretisht përmbajtjes, mekanizmave dhe obligimeve që rrjedhin nga vetë Konventa.
Pavarësisht paraqitjes jo të mirë në intervistë, XhihanAhmed në profilin e saj ku shpërndau disa fotografi me liderin e Lidhjes Demokratike Izet Mexhiti, ku e falënderoi VLEN-in për emërimin e saj në këtë detyrë, i cili nuk ka ndodhur zyrtarisht.
“Me nder dhe përgjegjësi të veçantë, jam emëruar anëtare e Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi. Shpreh mirënjohjen time të sinqertë për besimin dhe mbështetjen e kryetarit të LD-së, Izet Mexhiti, Forumit të Gruas, kryesisë, deputetëve dhe të gjithë përfaqësuesve të VLEN-it”, shkroi Ahmed në Facebook.

Ajo është parë edhe në fushatën zgjedhore të VLEN-it dhe në aktivitete partiake, ndërsa është anëtare e Kryesisë së Forumit të Gruas të Lëvizjes Demokratike.
