Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti, për deklaratën e bërë në mbledhjen e Këshillit të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Në vend që të japë llogari për dëmtimin e ekonomisë dhe prodhuesve vendorë, për aferat e panumërta korruptive dhe për përfshirjen e vëllait të Luan Dalipit në pazare me energjinë, Kurti sulmon opozitën dhe e etiketon si patriarkale dhe të prapambetur”, ka shkruar Çitaku në Facebook.
Ajo kujtoi se PDK-ja ka qenë e para që propozoi një grua për presidente – Flora Brovinën – dhe ka mbështetur gratë në pozita të larta politike në mënyrë të vazhdueshme.
Çitaku përmendi edhe tri rastet ku, sipas saj, gratë janë sulmuar nga VV-ja.
“Valdete Dakën e sulmuan deri në shkarkim. Vlora Hysenin e shkarkuan. Gresa Cakën e sulmuan brutalisht, vetëm pse nuk mund ta shkarkonin. Ky është realiteti, jo propaganda”, ka shkruar ajo.
