6.8 C
Skopje
E martë, 10 Shkurt, 2026

ÇKA (NUK) NDRYSHON POLITIKA?!

Nëse votimi do të ndryshonte diçka, do ta bënin atë si të paligjshëm. Politika nuk ka marrëdhënie me moralin, ajo është e vetmja fushë pa parime.

Ndonëse angazhimi i mirëfilltë në politikë, që i bie udhëheqjen e drejtë të një shteti, është gjetja e zgjidhjeve të ndryshme shoqërore, zhvillimin ekonomik, arsimor dhe social, integrimin e shërbimit administrativ, uljen e shpenzimeve dhe rritjen e të ardhurave për qytetarët, fatkeqësisht me politikën e sodit ndodh e kundërta – ajo kërkon probleme, i diagnostifikon ato gabim dhe i fut në zbatim mekanizmat e gabuara për “zgjidhjen” e atyre problemeve.

Dallimi thelbësor mes politikanit dhe burrështetasit është se i pari mendon për zgjedhjet e ardhshme, ndërsa i dyti mendon për gjeneratat e ardhshme. Kërkesa për cikle të njëpasnjëshme zgjedhore padyshim se e acaron popullin dhe ua imponon atyre marketingun politik, ndonëse realiteti i dështuar është se duhej t’u ofrohej zhvillim socio-ekonomik, integrim me politikat dhe programet bashkëkohore në fushat si: dixhitalizimi, energjetika, arsimimi, bashkëpunimi ekonomik, shëndetësia, administrata dhe jo vetëm. Derisa mendimi se kur qeveria e frikëson popullin (me krizë ekonomike, energjetike, dënime në para) konsiderohet liri, ndërsa kur populli e frikëson qeverinë (me protesta paqësore dhe pakënaqësi të qeverisjes) konsiderohet tirani – kjo kategori njerëzish, fatkeqësisht rreshtohen akoma tek grupi i shoqërive të dështuara.

Akoma më tragjike është fakti se kur të njejtit politikanë të kërkojnë votën (ajo që nuk ndryshon asgjë), e japim me shpresën e ndryshimit dhe ballafaqohemi me realitet të hidhur të “stabilitetit” të mosndryshimit disa dekadësh.

Një komb delesh gjithmonë do të lind një elitë qeveritare ujqërish dhe kjo nuk do ndryshojë derisa nuk ngjallet vetëdija popullore, derisa nuk përkulemi pranë një këmbimi të ulët material dhe pranë një varësie të padefinuar partiake. Shoqëritë e mira sjellin qeveritarë të mirë dhe qeverisja e mirë sjell mirëqenie sociale brenda asaj shoqërie.

Të ngjajshme

Të fundit