11.8 C
Skopje
E mërkurë, 22 Tetor, 2025

DASH: Ligji për “Investimet Strategjike” klientelist, favorizon oligarkët e Ramës

Departamenti Amerikan i Shtetit konfirmon për herë të dytë se ligji për ‘Investimet Strategjike’ i miratuar nga qeveria Rama në 2015 dhe i shtyrë për 5 herë, deri në dhjetor të 2026 është klientelist.

Në raportin e vitit 2025 për ‘Klimën e Investimeve’, publikuar më 27 shtator, që Syri.net po e publikon, DASH evidenton se ky ligj, ndryshe nga sa u propagandua prej 10 vitesh po përdoret për të favorizuar kompani vendase me lidhje të forta me mazhorancën, pra oligarkët me të cilët Rama mban pushtetin.

“Për të stimuluar investimet vendase dhe të huaja në sektorët strategjikë, qeveria shqiptare miratoi ligjin për investimet strategjike në maj 2015. Sipas ligjit, një “investim strategjik” mund të përfitojë nga ndihma e “procedurës së asistuar” ose “procedurës së veçantë” nga qeveria, për të lehtësuar procesin e marrjes së lejeve dhe të rregulloreve. Përqindja e pakët e investitorëve të huaj që kanë përfituar nga statusi i investitorit strategjik ka nxitur perceptimin tek investitorët e huaj se ligji ka favorizuar kryesisht kompanitë vendase me lidhje të forta me shumicën qeverisëse” evidentohet në Raport.

Jo vetëm kaq. DASh e bën të qartë se kompanitë e afërta me pushtetin që janë favorizuar nga ky ligj janë ato që operojnë në sektorin e turizmit.

“Për të rritur investimet në sektorët strategjikë, Shqipëria miratoi Ligjin për Investimet Strategjike në maj 2015, i cili përcakton kriteret, rregullat dhe procedurat që autoritetet shtetërore përdorin kur miratojnë një investim strategjik. Afati i fundit është shtyrë disa herë, dhe afati aktual është dhjetor 2026. Ligji nuk bën dallim midis investitorëve të huaj dhe atyre vendas. Deri më sot, shumica e projekteve të miratuara nën këtë ligj janë dhënë investitorëve vendas në sektorin e turizmit”

Shumë pak investitorë të huaj kanë përfituar nga statusi i “Investitorit Strategjik”, dhe pothuajse të gjitha projektet janë dhënë për kompani vendase që operojnë në sektorin e turizmit. Investitorët e huaj që kanë aplikuar për statusin e investitorit strategjik raportojnë se përgjigjet nga AIDA janë të ngadalta”.

Evidentimi i këtij ligji si klientelist u bë edhe në raportin e DASH për klimën e investimeve në vitin 2024. Ndërkohë shtyrja e fundit e këtij u miratua në fillim të këtij viti me votat socialiste duke i zgjatur efektet e tij deri në dhjetor 2026, ndërkohë Partia Demokratike e ka kundërshtuar me forcë.

 Korrupsioni i qëndrueshëm, përdorni klauzolën e arbtrazhit ndërkombëtar

Në raport që Syri.net e disponon evidentohet qartë korrupsioni i qëndrueshëm në sektorët kyq, e shtrembërimi i konkurencës që mund të dëmtojë investitorët.

“Korrupsioni i qëndrueshëm, zbatimi i pabarabartë i legjislacionit, burokracia e ngadaltë, shtrembërimi i konkurrencës, ndryshimet e shpeshta të legjislacionit fiskal dhe mungesa e transparencës pengojnë komunitetin e biznesit” 

Prandaj u kërkohet investitorëve amerikanë që të përfshijnë në mënyrë të detyrueshme klauzolën e arbitrazhit ndërkombëtar në çdo marrëveshje me homologët shqiptarë, pasi edhe pse qeveria ka miratuar një ligj për arbitrazhin në Shqipëri.

“Shumë investitorë të huaj ankohen se korrupsioni gjyqësor dhe procedurat joefikase të gjykatave dobësojnë mbrojtjen gjyqësore në Shqipëri dhe kërkojnë arbitrazh ndërkombëtar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Mund të jetë e dobishme për investitorët amerikanë të konsiderojnë përfshirjen e klauzolave për arbitrazh ndërkombëtar të detyrueshëm në çdo marrëveshje me homologët shqiptarë.”

Në seksionin 8 të raportit që i dedikohet korrupsionit, investitorët amerikanë flasin për një korrupsion të gjerë nga sistemi gjyqësor, tek qeveria, prokurimet publike deri dhe tek media.

Seksioni 8. Korrupsioni

Shqipëria ka një kornizë ligjore të fortë për luftën kundër korrupsionit dhe parandalimin e konfliktit të interesit të zyrtarëve publikë dhe politikanëve, përfshirë edhe anëtarët e familjes së tyre. Megjithatë, korrupsioni vazhdon të dëmtojë sundimin e ligjit, pengon zhvillimin ekonomik dhe ndalon Shqipërinë të arrijë potencialin e saj të plotë. Investitorët e huaj përmendin korrupsionin dhe çështjet e lidhura si disa nga problemet më të mëdha që pengojnë mjedisin e biznesit në Shqipëri, duke përfshirë:

•             korrupsion në sistemin gjyqësor, qeveri, prokurime publike dhe media;

•             mungesë transparence;

•             mungesë konkurrence;

•             ekonomi e madhe informale; dhe

•             zbatim i dobët i kontratave.

Hetoni pastrimin e parave në nivele të larta

Në raport evidentohet se fluksi i madh i të ardhurave të paligjshme nga trafikimi i drogës, kontrabanda, evazioni fiskal dhe korrupsioni kanë shtrembëruar konkurrencën në treg dhe se investitorët mund të jenë dhe objekt shantazhi, nga administrata publike, mediat dhe grupet kriminale‘

DASH kërkon të intensifikohen hetimet për korrupsion dhe pastrim të parave në nivele të larta të qeverisjes si dhe hetohen gjyqtarët dhe prokurorët tek të cilët kontrolli zbuloi sjellje të mundshme kriminale

“Si pjesë e procesit të anëtarësimit në BE, BE-ja pret që Shqipëria të intensifikojë hetimet për rastet me profil të lartë, të krijojë një rekord të aktakuzave për korrupsionin dhe pastrimin e parave në nivele të larta, dhe të hetojë gjyqtarët dhe prokurorët tek të cilët kontrolli zbuloi sjellje të mundshme kriminale” vijon raport. /Syri.net/

Raporti i prezantuar nga DASH

Burimi / © SYRI.net

Të ngjajshme

Të fundit