12.8 C
Skopje
E shtunë, 18 Tetor, 2025

Dehari për përgjimet: Janë të montuara dhe të fabrikuara

Disa materiale audio, që supozohet se janë përgjime e që ndërlidhen kryesisht me zhvillime në Komunën e Kërçovës, ku kryetar është Fatmir Dehari, janë publikuar së fundmi në rrjete sociale.

Për përgjimet, që po publikohen pak ditë para zgjedhjeve lokale kur edhe Dehari është kandidat për kryetar të Kërçovës, kanë reaguar edhe nga subjekti që i takon ai, por edhe nga VLEN dhe kundërkandidati i tij, Fatmir Limani.

Fatmir Dehari tha se përgjimet janë të montuara dhe të fabrikuara dhe se ka ndërmarrë të gjitha hapat ligjorë. Sipas tij, këto përgjime kanë për qëllim ta dëmtojnë atë dhe ta favorizojnë kandidatin e VMRO-DPMNE-së në Kërçovë.

“Në ditët e fundit, po përballem me një fushatë të ulët shantazhi dhe manipulimi, e cila synon të dëmtojë personalisht dhe politikisht figurën time. Në këtë fushatë përdoren materiale të montuara, të fabrikuara dhe plotësisht të pavërteta, që cenojnë jetën time private dhe përpiqen të prishin marrëdhëniet me njerëzit e mi të afërt dhe me qytetarët që më njohin prej vitesh.
Nuk është rastësi që gjithë kjo ndodh pikërisht tani, në prag të një procesi të rëndësishëm politik.
Ky inskenim ka një qëllim të qartë , të demoralizojë mbështetësit tanë dhe të favorizojë VMRO-DPMNE-në dhe kandidatin e saj, në përpjekje për të marrë Kërçovën përmes shpifjeve dhe manipulimeve.
Këto veprime janë të orkestruara me motive të qarta politike dhe personale.
Unë nuk do të lejoj që shpifjet, montimet apo presionet e çfarëdo forme të më ndalin në rrugën time për të shërbyer me përkushtim qytetarëve të Kërçovës.
Kam ndërmarrë të gjitha hapat ligjorë të nevojshëm për të zbardhur plotësisht këtë rast dhe për të mbrojtur dinjitetin tim, familjen time dhe institucionin që përfaqësoj”, shkruan Dehari.

Kundërkandidati i tij nga VLEN, Fatmir Limani tha se do t’ia lë Prokurorisë të japë vlerësim për rastin, megjithatë, shtoi se çdo politikan duhet të vendosë gishtin në kokë, duke përmendur edhe “përmbylljen e karrierës”.

“Jam kategori njeriu, i cili nuk shfrytëzoj nga raste të këtilla. Do t’ia lëmë Prokurorisë këto çështje të përgjimeve që kanë ndodhur në Kërçovë. Unë, me keqardhje, përshkoj gjithë këtë situatë, sepse mbi të gjitha unë në fund të ditës edhe në fund të çdo ngjarje kujtoj fëmijët  e tyre, kujtoj familjarët e tyre dhe fundi i fundit nuk i pëlqej këto mënyra dhe këto forma. Por sido që të jetë, secili politikan do duhet t’i vendojë gishtin kokës  dhe të kujtojë në të gjitha hapat që i zhvillon se si sillet, sepse vjen një ditë dhe përmbyllet edhe karriera, po e rëndësishme shumë se a e përmbyllim karrierën me faqe të bardhë apo të nxirë”, tha Limani. 

Dje kanë reaguar edhe BDI dhe VLEN.

Edhe nga BDI situatën e ndërlidhin me fushatën zgjedhore dhe materialet e publikuara i vlerësojnë si të montuara dhe të fabrikuara, kurse nga VLEN vlerësuan se përgjimet “reflektojnë kulturën politike 20-vjeçare që ka mbizotëruar në Maqedoninë e Veriut”.

Të ngjajshme

Të fundit