E para e shtetit tha se është ballafaquar edhe me presione e shantazhe për të dekretuar Blerim Isufajn, si kryeprokuror të shtetit.
“Ka pasur edhe presione të tjera të paligjshme, ta zëmë njerëz që dërgonin mesazhe që ‘në qoftë se nuk e dekreton dhe nuk e nënshkruan do të bëjmë dosje, do të ngrehim aktakuza, do t’i lidhim duart’, dhe të tjera. Por, ata duhet ta dinë që këto më shumë se dy dekada që jam në politikë, presionet asnjëherë nuk kanë bërë punë e nuk do të bëjnë as tani”, u shpreh ajo.
Osmani tha se nga viti ’99 që është në politikë, asnjëherë në publik nuk ka thënë që është e kërcënuar nga dikush.
Ajo nuk përmendi emra dhe mbiemra të personave të cilët e kërcënuan, por bëri me dije se për të njëjtat nuk ka njoftuar prokurorinë.
“Kjo do të duhej të ishte procedura në rastet kur funksionon në një sistem të drejtësisë. Kjo është sikur të thuash ‘shko deponoje pikërisht tek ata që të kanë kërcënuar’. Për këto çështje do të flas ndoshta më në detaje në një periudhë të mëvonshme. Sepse insistimi ynë si presidencë është që fokusi të jetë të vlerësimi i procedurës, ashtu siç edhe më detyron praktika e Gjykatës Kushtetuese. Është vlerësuar procedura, ne nuk jemi marrë me emrin por jemi marrë me procedurën e përzgjedhjes”, tha Osmani para gazetarëve.
