Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) informon se nëpërmjet kanaleve të ndryshme të transportit, edhe dhjetë shtetas tjerë janë larguar nga Izraeli, respektivisht: katër me aeroplanë për në Athinë, pesë për në Podgoricë dhe një person me fluturim për në Stamboll, me çka numri i përgjithshëm për dy ditët e fundit ka kaluar 30 shtetas tanë që janë larguar nga Izraeli.
Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Tel Aviv, në koordinim të ngushtë me Shtabin e krizës në Ministrinë e Punëve të Jashtme, punon në mënyrë aktive për kthimin e 100 qytetarëve tanë të tjerë të cilët kanë kërkuar ndihmë për t’u larguar nga Izraeli dhe të cilët kryesisht ndodhen në vende të sigurta. Një pjesë e tyre tashmë kanë siguruar bileta përmes fluturimeve të rregullta që janë aktive përmes Aeroportit ndërkombëtar të Tel Avivit i cili është në funksion të plotë.
Disa prej tyre ndodheshin në zona të prekura nga dhuna që konsiderohen të pasigurta, për të cilët tashmë është siguruar transporti i brendshëm nëpër territor të Izraelit për t’i transferuar në një vend të sigurt, nga ku mund të dërgohen në shtëpi. Mes tyre janë dy shtetas tanë në Rripin e Gazës për nxjerrjen e të cilëve është angazhuar Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Kajro e cila është në komunikim të drejtpërdrejtë me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Egjiptit.
Sipas vlerësimeve të Shtabit të krizës, deri në 200 qytetarë tanë janë duke qëndruar në territorin e Izraelit, shumica e të cilëve janë lokalizuar me saktësi dhe mbahet komunikim i rregullt me ta deri në kthimin e tyre në Maqedoninë e Veriut. Ministria e Punëve të Jashtme përgatiti informacionin për situatën në Izrael, me një projeksion për ditët në vijim i cili iu dorëzua Qeverisë, e cila vendos për hapat e ardhshëm.
Ndërkohë MPJ u bën thirrje shtetasve tanë në Izrael që të ndjekin Portalin Nacional për raste urgjente (ëëë.oref.org.il) të a.q. Home Front Command i specializuar për mbrojtjen civile i cili doli me rekomandime të reja për popullatën si dhe respektimin e të gjitha udhëzimeve të tjera të institucioneve kompetente të Izraelit.
