Dënimi më i qartë dhe i plotë i komunizmit gjendet te dëshmitë e viktimave të tij, kryesisht te kujtimet që kanë shkruar ish të burgosurit e familjarë të tyre. Mirëpo, a mjafton vetëm dëshmia për të dënuar komunizmin, kur ajo nuk është shoqëruar nga gjykimi dhe dënimi i fajtorëve, nga dëmshpërblimi i viktimave dhe nga një qëndrim i prerë institucional për moslavdërimin publik të figurave dhe simboleve të tij, ngjashëm me mënyrën se si trajtohet nazizmi në Gjermani dhe në shtete të tjera europiane?
Shkruan: Enis SULSTAROVA, Tiranë
“Nuk mund t’ia tregosh kujt” – Primo Levi përshkruan një ëndërr, më mirë të themi një makth, që ai shihte herë pas here në kampin e Aushvicit. Në ëndërr ai ikën prej kampit, kthehet në shtëpi dhe u tregon të tjerëve hollësi prej tmerreve që kishte përjetuar gjatë kohës kur kishte qenë burgosur. Ndërsa ai tregon, kupton se asnjë prej të pranishmëve nuk po e dëgjon më. Ata flasin me njëri-tjetrin dhe atij i duket sikur askush nuk e dallon që ai është ende aty. Në fund, të tjerët ikin pa e përshëndetur, sikur ai të mos kishte qenë asnjëherë midis tyre.
Një frikë të ngjashme, që askush nuk do t’i kuptojë, ose, më keq, që askush nuk do t’u besojë, e shprehin edhe shumë prej ish të burgosurve politikë në Shqipëri, gjatë rrëfimeve të torturave e vuajtjeve që kanë pësuar e tmerreve të tjera që kanë parë më sy gjatë kohës kur kanë qenë të dënuar apo internuar. Gjatë leximit të kujtimeve të mbledhura në serinë “Zërat e kujtesës”, të botuar nga Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, kam ndeshur disa herë pauza gjatë rrëfimit, kur i intervistuari duket sikur del nga vetja, kthehet në dëgjues i vetes dhe reflekton nëse çfarë po thotë a tingëllon e besueshme apo jo. Bedri Çoku, duke treguar torturat dhe mundimet që kishin pësuar ai dhe të burgosur të tjerë në burgjet e Burrelit dhe të Spaçit, thotë: “Ishin vuajtje të atilla që unë kam drojë t’i tregoj, se kam frikë se nuk më beson njeri” (“Zërat e kujtesës, vëll. 3, Tiranë, 2016, f. 72). Ndrek Bazhdari, ish i burgosur në burgun e Burrelit, thotë se “kanë qenë shumë periudha të tilla sprovash të vështira, që, kur ua tregoj fëmijëve të mi, nuk i besojnë… ata nuk arrijnë të besojnë se një trup njerëzor, e për më tepër një gjysmë trupi që isha unë, mund të rezistojë deri në 23 gradë nën zero, në një birucë, vetëm me një batanije të hollë… Janë të pabesueshme historitë e vuajtjeve tona” (“Zërat e kujtesës”, vëll. 1, Tiranë, 2015, f. 36).
Një tregim i ngjashëm na vjen edhe nga Aziz Ndreu, i internuar në kampet e Beratit, Kuçovës, Turanit e Tepelenës në vitet e para pas çlirimit, kur ai ishte adoleshent. Gjatë bisedës me një bashkëvuajtës italian, major Mario Verdin, Ndreu i thotë se shteti i tij do të interesohet për të dhe me siguri që një ditë do të lirohet dhe do të atdhesohet. Pastaj e pyet Verdin se a do të tregojë në Itali ato që ka hequr dhe parë në kampet e Shqipërisë. “Jo. Kurrë!”, i përgjigjet italiani, i cili kur sheh se Ndreu mërrudhet dhe pezmatohet, nis të shpjegohet: “Po kush do të më besojë mua për këto që kanë ndodhur? Do të më marrin për një njeri aventurier dhe, kur të kem ikur, as unë vetë s’do t’i besoj këto”. Më pas Ndreu shton: “Edhe sot e kësaj dite më kujtohet ajo bisedë. Dua të them që ishin gjëra që nuk besoheshin dhe nuk mund t’ia tregosh kujt; zakonisht kur më pyesin, nuk u them asgjë, se do të thonë qenke gënjeshtar, aq të pamundura duken” (“Zërat e kujtesës”, vëll. 2, Tiranë, 2015, f. 263-264).
Primo Levin e mundonte ankthi nëse do të ishte në gjendje t’u tregonte njerëzve dëshminë e tij tronditëse dhe nëse ata do të tregonin interes për tregimin e tij apo do ta shpërfillin. Nëse ndodhte kjo e dyta, do të ishte njëlloj sikur Levi të mos kishte ekzistuar kurrë, sepse ai, në mes të mizorisë së kampit të shfarosjes, e kuptoi se qenia e tij ishte përcaktuar një herë e mirë si dëshmitar i asaj të keqeje të madhe. Ai shpresonte të dilte gjallë prej kampit, sepse donte të tregonte se çfarë ishte kampi. (Sikurse urdhri “Rrno vetëm për me tregue!” që prifti epror Marin Sirdari i dha të riut Zef Pllumit për të treguar persekutimet e klerit katolik prej regjimit komunist dhe që Pllumi e përbrendësoi si misionin e jetës së vet dhe na dha rrëfimin monumental me të njëjtin titull.) Nëse Levi do të arrinte të dilte i gjallë nga kampi, gjithçka që ai kishte qenë më parë se të arrestohej dhe gjithçka që ai kishte bërë jashtë kampit nuk do të kishte aq vlerë për të sa kishte përvoja e kampit. Problemi që ai ndjente ishte se për të qenë dëshmitar i nevojitej një publik i interesuar për të dëgjuar, mundësisht edhe një gjykatë ku dëshmia e viktimës të ndihmonte për të çuar në vend drejtësinë dhe për të dënuar fajtorët. Fatmirësisht për Levin, bota, sidomos ajo pjesë e botës që e njohim si Perëndimi, u tregua e gatshme ta dëgjonte dëshminë e tij, edhe për arsyen sepse mposhtja e fashizmit u arrit me një luftë botërore që kërkoi flijime të stërmëdha njerëzore dhe për këtë partitë dhe regjimet fashiste u konsideruan fajtore dhe një pjesë e mirë e krerëve dhe anëtarëve të tyre u gjykuan. Një arsye tjetër ishte se kampet naziste të shfarosjes ishin me të vërtetë një ngjarje unike në historinë e vonë të njerëzimit dhe kujtimet e të burgosurve në kampet dhe burgjet fashiste u trajtuan si dëshmi të vlefshme për dënimin historik të fashizmit dhe për mospërsëritjen e tij. Vendosja e të drejtave të njeriut si vlera madhore dhe norma juridike për të gjithë njerëzimin është rezultat i përpjekjes për mposhtjen e fashizmit.
Kur Bedri Çoku, Ndrek Bazhdari apo Aziz Ndreu thonë se “nuk mund t’ia tregosh kujt” se çfarë kanë hequr ata dhe të tjerë, me këtë duan që, në radhë të parë, të tregojnë shkallën se deri ku mund të arrijë mizoria dhe njëkohësisht qëndresa njerëzore, shkallë për të cilën ata vetë janë dëshmitarë. Mirëpo, ata me këto fjalë shprehin edhe frikën se sa më shumë kalon koha dhe sa më shumë që jeta e përditshme e shqiptarëve ndryshon nga ajo e komunizmit, aq më e vështirë bëhet për dëshmitë e ish të burgosurve të çajnë harresën dhe indiferencën kolektive. Kjo e fundit është e pavetëdijshme, sepse njerëzit e thjeshtë janë të merakosur me përballimin dhe zgjidhjen e problemeve të përditshmërisë dhe nuk duan të dëgjojnë më për periudhën e komunizmit, aq më pak për vuajtjet e të përndjekurve. Kështu, pa kuptuar, mund të vijë një ditë kur ne do të pyesim nëse ka qenë ndonjëherë Shqipëria komuniste! Nëse kjo ndodh, atëherë është e mundur që edhe disa prej dëshmive të mizorisë së burgjeve dhe kampeve do të trajtohen si trillime.
Për çfarë vlen dëshmia? – Në Bashkimin Sovjetik dhe në Evropën Lindore regjimet komuniste u dorëzuan pa luftë dhe Perëndimi i përkrahu tranzicionet drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut pa ushtruar trysni të njëmendtë për dënimin e përgjegjësve kryesorë të krimeve dhe vuajtjeve të shkaktuara. Për dallim nga tranzicionet në Afrikën e Jugut dhe në disa shtete të Amerikës Latine, autorëve të krimeve të komunizmit nuk iu kërkua që të vetëshpalleshin fajtorë dhe të dëshmonin për përgjegjësinë personale para të ashtuquajturave “komisione të së vërtetës”. Me përjashtim të Gjermanisë Lindore, dosjet e policisë sekrete nuk u bënë të qasshme për publikun e gjerë. Në Shqipëri mjaftoi shprehja “ashtu ishte koha” që shumë prej pjesëmarrësve në aparatin shtypës partiak e shtetëror të komunizmit të justifikoheshin për përgjegjësinë e vet dhe të vijonin karrierën në administratën shtetërore. Moskërkimi i faljes nga persona që kanë shërbyer si sekretarë partie, kryetar fronti, anëtarë të komisioneve të internimeve, hetues, prokurorë, policë të burgjeve e kampeve, spiunë etj., tregon se relativizimi i moralit, i stimuluar nga regjimi totalitar, vijon në paskomunizëm, i maskuar pas parullës “bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë”. Me përjashtim të Bashkim Shehut e ndonjë tjetri, në përgjithësi bashkëshortet e fëmijët e “bllokmenëve”, nuk kanë dënuar publikisht përgjegjësinë e familjarit të tyre, por i kanë dalë në mbrojtje me anë të kujtimeve apo apologjive të tjera. Kështu kanë vepruar Nexhmije Hoxha, bijtë dhe nuset e saj.
Sigurisht që viktimat e komunizmit u njohën si të tilla, por pa marrë dëmshpërblimin e plotë material dhe moral. Për shumë prej tyre vuajtjet vijuan edhe pasi dolën jashtë mureve dhe telave. Dëmshpërblimi material i tyre u trajtua si lëmoshë, jo si një hua që shteti dhe shoqëria u detyrohet për dënimin e padrejtë dhe për punën skllavërore, e cila ndërtoi shumë nga veprat që mbaheshin si krenaria e socializmit. Edhe sot nuk ka një përllogaritje të djersës dhe gjakut që kanë derdhur të burgosurit politikë, ndërkohë që, sa për krahasim, Gjermania në 2021 ka pranuar të paguajë 1.3 miliardë euro dëmshpërblim për gjenocidin kolonial që ka kryer në Namibi në fillim të shek. XX. Shumë prej të përndjekurve në Shqipëri tashmë kanë ndërruar jetë pa përfituar dëmshpërblimin e duhur për pjesën e jetës e djersën që ua rrëmbeu komunizmi dhe që do t’ua kishte lehtësuar sadopak përballimin e traumave dhe të vështirësive të jetës në “liri”.
As dëmshpërblimi moral nuk është arritur deri tani, përderisa dënimi simbolik i komunizmit është bërë vetëm pjesërisht. Situata paradoksale ku kemi arritur është që figurat dhe simbolet e komunizmit po nderohen në një njëjtën kohë dhe paralelisht me dënimin e komunizmit dhe me përkujtimin e viktimave të tij. Mehmet Shehu, Haxhi Lleshi dhe Feçor Shehu janë shpallur qytetarë nderi në vendlindjet përkatëse; Bardhok Biba, një komunist i vrarë nga kundërshtarët në Mirditë e ka një rrugë me emrin e tij në qendër të Tiranës, ndërkohë që nuk e di a ka ndonjë përkujtimore për 14 burra mirditorë që Mehmet Shehu urdhëroi të vriten pa gjyq për hakmarrje; deri edhe hetues e operativë të Sigurimit të Shtetit, si Nuçi Tira, janë nderuar me emra të rrugëve të Tiranës, sikurse disa rrugë të tjera tashmë mbajnë emrat e viktimave e kundërshtarëve të komunizmit. Krahas dokumentarëve të realizuar për krimet e komunizmit, ekzistojnë edhe dokumentarë që autorët e këtyre krimeve i lavdërojnë si çlirimtarë në luftë apo burra shteti!
30 vjet pas rënies së komunizmit, mungon një përkujtimore qendrore në kryeqytet. U tentua një e tillë me bunkerin dhe trarët e galerive të Spaçit të vendosura pranë ndërtesës ku dikur ka qëndruar Komiteti Qendror i PPSH-së, por edhe kjo simbolikë u neutralizua me bunkerin kiç të Bunk’Artit që u ndërtua pak më tutje, pas Ministrisë së Brendshme. Një muze i krimeve të komunizmit do të mund të ishte instaluar në ndërtesën e ish-muzeut të Enver Hoxhës në shëtitoren “Dëshmorët e Kombit”, ndërtesë që ndryshe thirrej “Piramida”, përpara se kjo të bëhej disko, kafe-bar, qendër kulture, teatër që asnjëherë nuk i hapi dyert për publikun e para se sa t’i shtoheshin ata kuba të shëmtuar e shkallët butaforike, që po tjetërsojnë krejt arkitekturën origjinale!
Fatkeqësisht, për mendimin tim, shoqatat e ish të përndjekurve politikë nuk arritën që të ngriheshin më lart se barrikada e “së djathtës” që ua imponoi politika partiake dhe nuk gjeneruan një zë moral që do të depërtonte nëpër të gjithë shtresat shoqërore dhe që do të shërbente për vendosjen e një standardi të përgjithshëm shoqëror për dënimin e komunizmit. Për klimën që po mbizotëron tani për sa i përket trashëgimisë së komunizmit në Shqipëri flet fakti se Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, i cili financohet me para publike, i është ndaluar me ligj që të mos botojë dokumente e studime për krimet që Partia Komuniste dhe Fronti Antifashist Nacional-Çlirimtar kanë kryer ndaj civilëve të paarmatosur gjatë viteve të luftës botërore. Ish-drejtori i këtij instituti, Agron Tufa, në vitin 2019 paditi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ish-komandantin e kamp-burgut të Qafë-Barit, Edmond Cajën, për veprën penale të krimeve kundër njerëzimit. Pak kohë pas kësaj, Tufa e familja e tij u detyruan të kërkojnë azil politik në Zvicër, për shkak se u kërcënuan prej ish-funksionarëve komunistë të rikthyer në pushtet.
Dënimi më i qartë dhe i plotë i komunizmit gjendet te dëshmitë e viktimave të tij, kryesisht te kujtimet që kanë shkruar ish të burgosurit e familjarë të tyre. Mirëpo, a mjafton vetëm dëshmia për të dënuar komunizmin, kur ajo nuk është shoqëruar nga gjykimi dhe dënimi i fajtorëve, nga dëmshpërblimi i viktimave dhe nga një qëndrim i prerë institucional për mos-lavdërimin publik të figurave dhe simboleve të tij, ngjashëm me mënyrën se si trajtohet nazizmi në Gjermani dhe në shtete të tjera evropiane? Për çfarë vlejnë dëshmitë e ish të burgosurve dhe të të persekutuarve të tjerë të regjimit komunist, kur ato nuk janë institucionalizuar në mënyra të ndryshme dhe kur lexohen kryesisht nga të persekutuarit? Si mund të depërtojnë historitë e viktimave në ndërgjegjen kolektive në kohën kur historia zyrtare e asaj kohës ende shkruhet nga këndvështrimi i “fitimtarëve”? Si mund të flasim për dekomunistifikim të shoqërisë kur në vitin 2019 kryetar i Akademisë së Shkencave zgjidhet ish-ministri i fundit i arsimit i regjimit komunist?
Sigurisht që për kampet dhe burgjet e komunizmit nuk duhet të heshtim, sepse kjo do të ishte njëlloj sikur ato të mos kenë ekzistuar. Që e vërteta të rrënjoset, ajo më parë duhet thënë. Dëshmitë i kemi dhe, në mungesë të institucionalizimit të së vërtetës, përgjegjësia jonë si qytetarë është të njohim dhe të gjykojmë saktë mbi përmasën dhe mizorinë e krimeve që regjimi komunist për gjysmë shekulli ka kryer kundër popullit tonë (sikurse duhet të njohim dhe të gjykojmë për krimet e regjimeve të tjera totalitare e diktatoriale). Pas ndërgjegjësimit vetjak, secili të kthehet në përcjellës i dëshmive te të tjerët dhe te brezi i ri. Është e rëndësishme që të mos lejojmë heshtjen dhe relativizimin e dëshmive të krimit (të tipit “krime po, por pati dhe të mira ai sistem”). Individualisht dhe shoqërisht, me mënyra krijuese, të përpiqemi të kapërcejmë pengesën që ndan e gjykimin kolektiv për komunizmin në dy korsi paralele, që të çojnë në drejtime të kundërta: njëri ai i dënimit të periudhës komuniste dhe tjetri ai i lartësimit të “arritjeve” të asaj kohe. Edhe në mesin e barbarisë mund të gjenden shkëndija të qytetërimit, por këto nuk mjaftojnë për ta çarë errësirën e përgjithshme.