2.8 C
Skopje
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Dhuna nis në çerdhe…

Nga Lutfi Dervishi

Kur një nënë dërgon fëmijën në kopsht, shpresa është që ai të gjejë një mjedis të sigurt, mbështetës dhe edukues. Por për shumë prindër, ky moment shënon fillimin e një udhëtimi të vështirë, të mbushur me zhgënjim dhe tronditje.

Imagjino që fëmija të “rrethohet” me dhunë në kopësht.

Ky është rasti i një nëne që përballoi jo vetëm dhunën e shokëve të grupit të djalit të saj dyvjeçar, por edhe të edukatoreve që duhet të ishin modele sjelljeje.

Vogëlushi e kishte frekuentuar çerdhen që në moshën një vjeçare pa asnjë problem. Në fëmijë kurioz, plot gëzim, që mezi priste të mësonte në kopësht, por..

“Ai u bë agresiv. Filloi të gjuante, të shtynte, të ulërinte. Kur vinte në shtëpi, shpërthente. Nuk e kisha parë kurrë ashtu më parë”, thotë nëna e tij.

Fjalët e tij ishin alarmuese. Me bërtet zysha thoshte djali dhe unë i thashë: “mami nëse të bërtet thuaji që të të flasë me zë të butë, se fëmijëve nuk duhet t’i bërtasim por t’i flasim qetë e butë”

“Kur ti përpiqeshe të flisje me edukatoret ato as të shihin në sy dhe jepnin përgjigje të tipit: “eee po ashtu janë disa (fëmijë) problematike aty.

-Po ti çke, se ai i joti është shumë mirë!

Në çdo përpjekje për të diskutuar situatën me edukatoret, nëna përballej me një mur indiference dhe arrogancë. “Disa fëmijë janë ndryshe,” ishte përgjigjja standarde. Madje, gjatë një mbledhjeje me prindër, edukatorja tha: “Mos na e ulni autoritetin para fëmijëve.” Dhe shumica e prindërve i dhanë të drejtë: “Bërtitu, se këta fëmijë ashtu e duan!”

Kjo qasje jo vetëm që legjitimon dhunën verbale dhe psikologjike ndaj fëmijëve, por edhe krijon një rreth vicioz, ku prindërit, edukatorët dhe fëmijët e bëjnë dhunën pjesë të zakonshme të komunikimit.

Dhe më e bukura.

Kopshti ku ishte regjistruar djali mbahej si një nga më të mirët në zonë. Por përvojat e përditshme ishin tronditëse. Fëmijët tmerronin njëri-tjetrin dhe edukatoret i frikësonin me kërcënime të tilla si: “Po nuk fjetët gjumë, mamat do ju lënë këtu!”

Ndërkohë, fëmijëve u premtoheshin aktivitete që nuk realizoheshin kurrë. “Mami, ato na gënjejnë çdo ditë. Thonë që do luajmë, por nuk luajmë kurrë,” ankohej djali.

Këto gënjeshtra të përsëritura dhe ambienti i dhunshëm filluan të ndikojnë tek fëmija. Ai nisi të qante natën në gjumë dhe të kërkonte të mos kthehej më në atë kopsht.

Pas tre javësh të mbushura me lot dhe zhgënjim, nëna mori një vendim. “I thashë djalit që nuk do të shkojë më tek ai kopsht, dhe ai tha: ‘Të lutem mos më ço më aty!’”

Në kopshtin e ri, djali filloi të rikthehej në vetveten.

“Faleminderit Zotit, ka ende edukatore të mira,” thotë nëna me mirënjohje. “Tani mezi pret të shkojë tek shokët e tij dhe të mësojë me mësuese Anilën.”

Por, ky ndryshim i përkohshëm nuk e zgjidh problemin më të madh: mjedisin toksik që i rrethon fëmijët.

“E shpëtova me kopshtin, por po shkolla? Po shoqëria që do ta rrethojë nesër?”

Pyetja është e dhimbshme dhe e drejtpërdrejtë: Pse zgjedhin njerëz të papërgatitur dhe të pamotivuar profesionin e edukimit? Si mund të pranojmë që institucione që duhet të jenë vendet më të sigurta për fëmijët tanë, të shndërrohen në burime dhune dhe frike?

Nuk mjafton të kemi kopshtet dhe shkollat më të mira me emër. Nuk mjaftojnë as fjalët dhe as ndërtesat e bukura. Duhet të garantojmë një mjedis ku fëmijët të mbeten fëmijë dhe të gëzojnë fëmijërinë.

Një shoqëri e dhunshme nuk fillon në Parlament apo në rrugë. Ajo fillon në kopshte dhe shkolla. Dhe një shoqëri pa dhunë nis nga mbrojtja dhe edukimin i fëmijëve.

Të ngjajshme

Të fundit