Muhamed Sejdini, ish-kryetar i Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM), ka paraqitur dorëheqjen e tij, duke hapur një debat të ri mbi motivet e vërteta që qëndrojnë pas këtij vendimi.
Shkruan POPULLI.mk
A ishte kjo një dorëheqje e vullnetshme apo një rezultat i presioneve politike dhe rrethanave që e bënë pozicionin e tij të paqëndrueshëm?
Me ndërrimin e qeverisë, shumë herë janë parë ndryshime të thella në strukturat e institucioneve që perceptohen si të lidhura me pushtetin. Sejdini, i njohur për afërsinë e tij me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, duket se ka qenë viktimë e një skene të tillë politike. Ndërhyrjet në FFM nuk janë një fenomen i ri, pasi edhe gjatë periudhës së qeverisjes së Zoran Zaevit ka pasur tentativa për ta larguar atë nga kreu i federatës. Kjo ngre pyetjen se a është FFM një institucion autonom apo një zgjatim i ndikimeve politike?
Sejdini ka udhëhequr FFM-në në periudha të rëndësishme, për plot 7 vite. Por, ndonëse suksesi sportiv është i pamohueshëm, kritikat për menaxhimin e tij nuk kanë munguar. Të dyshuarit për keqmenaxhim, si dhe tensionet mes klubeve dhe federatës, kanë krijuar një mjedis të brishtë, duke e bërë udhëheqjen e tij gjithnjë e më të diskutueshme.
Në vend të Sejdinit, pritet të emërohet Masar Omeragic, një figurë dhe profil i njohur për sytë e publikut. Pyetja që lind është nëse Omeragic do të mund të rikthejë stabilitetin dhe pavarësinë në FFM apo do të jetë një vazhdim i politizimit të institucionit.
Rasti i Sejdinit është një kujtesë e fuqisë së politikës në fushën e sportit. Në një kohë kur futbolli duhej të ishte burim i unitetit dhe krenarisë kombëtare, ai vazhdon të jetë arenë konfliktesh dhe interesash. Ndaj, sfida për FFM-në dhe kryetarin e saj të ri do të jetë tejkalimi i këtyre ndikimeve dhe rikthimi i fokusit tek zhvillimi i sportit. / © POPULLI.mk