Bujar Osmani i AKI-së, përmes një reflektimi të gjatë në rrjetet sociale, ka folur për përvojën e tij pas humbjes në zgjedhjet lokale në Çair, duke e quajtur këtë periudhë “kohë heshtjeje dhe reflektimi”, e jo tërheqje nga politika, informon POPULLI.mk
Osmani thekson se “ekziston një heshtje që vjen pas humbjes, një heshtje që asnjë fitore nuk mund të të mësojë”, duke nënvizuar se pikërisht në këtë heshtje kupton realisht njerëzit dhe peshën e lodhjes që e ke fshehur gjatë përpjekjeve politike.
“Kur e humba garën zgjedhore në Çair, nuk ishte kjo humbja e parë në jetën time. Jam kirurg para se të bëhem politikan, dhe në sallën e operacionit humbjet janë më të rëndat. Aty përgjegjësia nuk matet me kolltuk, por me jetë njerëzish,” shkroi Osmani.
Ai tregon se edhe pas rezultateve zgjedhore nuk ndjeu tronditje apo zemërim, por “kthjelltësi”, duke e parë atë moment si fillim të një kapitulli të ri.
“Fitoret nuk janë të tuat, përvojat po. Në politikë çdo sukses duket personal derisa të humbësh, dhe kupton se asnjë fitore nuk është pronë, por fryt i përbashkët,” thekson ai.
Osmani thotë se pas zgjedhjeve zgjodhi heshtjen në vend të deklaratave publike, për të reflektuar më thellë. Sipas tij, heshtja është mënyra më e pastër për të kuptuar dhe për të dëgjuar vetveten.
“Lidershipi nuk matet me atë se sa njerëz të dëgjojnë, por me gatishmërinë për të dëgjuar vetë,” shton ai.
Në reflektimin e tij, Osmani flet edhe për vlerat pas humbjes, duke theksuar se kur hesht duartrokitja, mbeten vetëm marrëdhëniet dhe motivet e sinqerta.
“Kur motivi yt është shërbimi, jo interesi, humbja bëhet pastrim, jo ndëshkim,” shkruan ai, duke shtuar se humbja të ndihmon të shohësh më kthjellët dhe të rivlerësosh prioritetet.
Ish-ministri konfirmon se është rikthyer në profesionin e tij si kirurg, jo për t’i ikur politikës, por për të rikthyer ekuilibrin dhe qetësinë që, siç thotë, mungon në jetën politike.
“Në sallën e operacionit nuk ka spin, nuk ka audiencë, ka punë, përqendrim dhe përgjegjësi. Aty gjeta qetësinë që më kishte munguar,” shkruan ai.
Në fund të reflektimit, Osmani thekson se humbja është “rikalibrim i drejtimit”, jo fundi i një rruge.
“Unë nuk jam tërhequr; jam rikalibruar. Jam këtu, me më shumë përvojë, më shumë qetësi dhe më shumë bindje se rruga e vërtetë nuk është ajo që të ngre përkohësisht, por ajo që të mban i drejtë përgjithmonë,” përfundon Osmani. / © POPULLI.mk
