18.8 C
Skopje
E mërkurë, 17 Shtator, 2025

Ecuria tash është në dorën e veprimtarëve të VLEN

Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut u kryen. Koalicioni VLEN nga opozita shqiptare mori 14 mandate. Të gjithë personalitete me vlera, e njëri syresh puro Vetëvendosje, Bekimi i VV.
Shkruan Arbër Zaimi
Për herë të parë një subjekt opozitar shqiptar merr mbi 100.000 vota, duke u bërë faktor për ndryshim demokratik.
Koalicioni VLEN në këtë fushatë nuk ndoqi strategji të sharjes e të frikësimit, apo të fushatave të zeza. Me rivalët u mor veçse hapur e haptazi, pa ua cënuar integritetin personal apo familjar. VLEN publikoi program me objektiva e synime, pa populizma, pa këngëtarë të famshëm e videoklipe të shtrenjta. Nuk hyri në vallen e sondazheve fiktive apo exit-polleve që porositen zakonisht për të çorientuar votuesit. Nuk u mor fort as me zhurmën e mediave dhe “analistëve”, të cilat kësaj radhe si kurrë më parë, u dyndën në Shkup nga Prishtina e Tirana (shpresojmë që interesi mediatik i Kosovës dhe i Shqipërisë të vazhdojë edhe përtej kontratave zgjedhore). U fokusua tek fushata në terren me tubime të mëdha e takime të vogla, tek pozitiviteti i aktiviteteve e i diskursit, dhe arriti të ruajë koherencën e brendshme përkundër përpjekjeve për prishje ekuilibrash.
Pati edhe që trembeshin nga kjo fushatë, si është e mundur në terrenin “ballkanik” të sjellë rezultat një fushatë kaq “suedeze”?
Ka vend për t’u krenuar secili kontribues me këtë rezultat, modestisht edhe unë, që gjatë fushatës pata nderin të bashkëpunoj me shumë shqiptarë të mirë e të aftë nga Maqedonia e Veriut.
Ndryshimin të gjithë e duam substancial, e jo thjesht formal. Cilësor e jo thjesht sasior. Megjithatë, pa ndodhur ndryshimi formal, nuk i hapet dera substancialit. Pa ndodhur ndryshimi sasior, nuk i hapet dera cilësorit.
Ecuria tash është në dorën e veprimtarëve të VLEN, të cilëve u uroj vetëm suksese, në rrugën e vështirë politike ku duhen ruajtur interesat kombëtarë e njëkohësisht duhen zhvilluar demokracia, ekonomia e shoqëria.

Të ngjajshme

Të fundit