15.8 C
Skopje
E premte, 14 Nëntor, 2025

Edhe një shqiptar në ‘listën e zezë’ të SHBA

SHBA sanksionon biznesmenin shqiptar Luftar Hysa. Kompanitë e lidhura me grupin Hysa janë përfshirë në listën e zezë të Thesarit Amerikan në SHBA

Shtetet e Bashkuara, në bashkëpunim me autoritetet meksikane, kanë vendosur sanksione ndaj biznesmenit shqiptar Luftar Hysa, katër vëllezërve të tij dhe disa anëtarëve të tjerë të familjes, si edhe ndaj një grupi kompanish në Meksikë dhe Kanada.

Sipas njoftimit zyrtar të Zyrës për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC), Hysa dhe vëllezërit e tij Arben, Ramiz, Fatos dhe Fabjon Hysa, si edhe disa persona të tjerë të lidhur familjarisht, janë futur në listën e zezë të SHBA-së. Ata akuzohen se kanë përdorur një rrjet biznesesh bastesh dhe argëtimi në Meksikë për pastrimin e të ardhurave të përfituara nga trafiku ndërkombëtar i narkotikëve, nën mbikëqyrjen e Kartelit Sinaloa.

OFAC, pjesë e Departamentit Amerikan të Thesarit, njoftoi të enjten, më 13 nëntor, vendosjen e sanksioneve ndaj 27 individëve dhe subjekteve, ndërsa FinCEN (Rrjeti për Zbatimin e Krimeve Financiare) propozoi masa shtesë për të shkëputur lidhjet e 10 kompanive meksikane të lojërave të fatit me sistemin financiar amerikan.

Sipas OFAC, individët dhe kompanitë e përfshira kanë përdorur investime në sektorin e lojërave të fatit dhe shërbimeve argëtuese për të pastruar fitimet e aktiviteteve kriminale.

“Shtetet e Bashkuara dhe Meksika po bashkëpunojnë për të luftuar pastrimin e parave në sektorin e lojërave të fatit. Mesazhi ynë është i qartë: ata që mbështesin aktivitetet kriminale do të mbahen përgjegjës,” deklaroi Nënsekretari i Thesarit, John K. Hurley.

Vendimi i OFAC parashikon ngrirjen e menjëhershme të gjitha pasurive që individët e sanksionuar mund të kenë në territorin amerikan, si edhe ndalon çdo transaksion financiar nga persona apo institucione amerikane që lidhen me ta.

Sipas dokumenteve të Thesarit, rrjeti Hysa operonte në Kanada dhe Meksikë, duke përdorur kompani të shumta si mbulesë për aktivitetet e tij kriminale. Disa prej tyre janë:

Rosetta Gaming

LH Pro-Gaming

Entretenimiento Palermo

Grupo Internacional CanHysaMex

Hysa Holdings Inc.

Në listën e sanksioneve janë përfshirë gjithashtu shtetasi meksikan Gilberto Lopez Lopez dhe shtetasja shqiptare Eselda Baku, vajza e Ramiz Hysës.

Emri i Luftar Hysës është përmendur më herët në media shqiptare dhe ndërkombëtare si një biznesmen i lidhur me nivel të lartë politik në Tiranë. Në tetor 2020, Hysa, së bashku me biznesmenin Besnik Lulaj dhe deputetin gjerman Mark Hauptmann, mori pjesë në një takim në zyrën e kryeministrit Edi Rama, i shoqëruar nga ish-këshilltari për investimet e huaja Dorian Duçka.

Në atë kohë, vizita u prezantua si pjesë e një nisme për bashkëpunim ekonomik, por tashmë autoritetet amerikane e lidhin Hysën me strukturat financiare të Kartelit Sinaloa, organizatë që prej shkurtit 2025 është shpallur organizatë terroriste nga Departamenti Amerikan i Shtetit. /noa.al

Të ngjajshme

Të fundit