1.8 C
Skopje
E mërkurë, 15 Janar, 2025

Editorial: Në vend të debatit për ndryshimet kushtetuese, në Kuvend të organizohen gara për lojëra në telefon?!

Kuvendi i RMV-së me 70 vota “për”, 47 “kundër” dhe asnjë “abstenim” miratoi rendin e ditës të seancës së 123-të, e cila ka vetëm një pikë – Propozim për qasje në amendamentin e Kushtetutës, ku parashihet përfshirja e bullgarëve dhe pesë bashkësive tjera etnike në preambulën e Kushtetutës.
Pas miratimit të rendit të ditës, filloi debati për nevojën e ndryshimeve kushtetuese, për miratimin e të cilave duhet votuar të paktën 80 deputetë. Është e para nga gjithsej tre fazat e nevojshme për ndryshimin e Kushtetutës.
Sipas Rregullores së Kuvendit, debati për nevojën e sjelljes së amendamenteve kushtetuese zgjat maksimumi dhjetë ditë pune dhe nëse ndodh kështu duhet të përfundojë më 31 gusht.

Gjatë debatit, një deputet mund të flasë disa herë për gjithsej 20 minuta, dhe koordinatori i një grupi parlamentar gjithsej 30 minuta. Përfaqësuesi i propozuesit në kërkim mund të flasë disa herë, por jo më shumë se 30 minuta në total.
Përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë është kusht që vendi të mbajë seancën e dytë ndërqeveritare dhe të vazhdojë negociatat me Bashkimin Evropian për anëtarësim të plotë në Union.

Dikush debaton, dikush luan në telefon!

Seanca ka filluar, mirëpo nuk dihet se si do të mbarojë. Vend për optimizëm se do të sigurohen 2/3 e votave nuk ka. Këtë e pranoi edhe presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, në deklaratën e tij ekskluzive për Zhurnal.
Kryeministri RMV-së Dimitar Kovaçevski, në fjalimin e tij para deputetëve theksoi se propozim-ndryshimet nuk janë diktat bullgar dhe i ftoi deputetët që t’i votojnë.
Ai tha se ndryshimet kushtetuese mbështeten nga Berlini dhe Ëashingtoni dhe se nuk do të asimilohet askush. Kovaçevski tha se pas Maqedonisë qëndrojnë “më të mëdhenjtë dhe më të fuqishmit”.

Mirëpo opozita maqedonase, mbetet në qëndrimin se asnjë deputet i saj nga kjo përbërje parlamentare nuk do i përkrahë ndryshimet kushtetuese.
Deputetja Gordana Siljanovska Davkova duke folur në emër të kësaj partied he partnerëve të vegjël të saj, deklaroi se Maqedonia nuk është në dilemë për në “lindje ose perëndim”, por për atë se a do të jetë shteti denjë. Që në përkthim don të thotë se mosvotimin e ndryshimeve kushtetuese VMRO-DPMNE e sheh si betejë për dinjitet, e jo kundër perëndimit.
“Ajo që na kërkohet është kundër vlerave evropiane. Nga viti 2009 kemi marrë 15 ‘pro’ nga Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian dhe asnjë herë nuk ka pasur vërejtje për mungesën e bullgarëve në Kushtetutë. Qytetarët duhet të pyeten në zgjedhje, sepse pushteti është plotësisht i delegjitimuar”, tha Siljanovska Davkova.
Fjalimi i Siljanovskës u prit me duartrokitje dhe ovacione nga deputetët e VMRO-DPMNE-së, që tregon qartë se kjo parti jo vetëm që nuk do votojë ndryshimet, por do të përpiqet këtë kundërshtim ta shndërrojë në kauzë me të cilën do të paraqitet para votuesve n ë zgjedhjet e ardhshme, shkruan Zhurnal.

Pasojat e mosmiratimit të ndryshimeve kushtetuese janë të qarta. Shqipëria vazhdon në rrugën drejt BE-së, kurse Maqedonia e Veriut mbetet në një grup me Bosnje Hercegovinën dhe Kosovën. Po shuhet edhe optimizmi se ndryshimet kushtetuese mund të kalojnë me përfitimin e 7-8 deputetëve të VMRO-DPMNE-së, siç ishte rasti me Marrëveshjen e Prespës. Ndoshtaa për këtë arsye, deputetët e shumicës parlamentare tashmë ndihen të pafuqishëm për të ndryshuar diçka, andaj luajnë lojëra në telefon.

Deputeti i LSDM-së, Dragoljub Filipovski u kritikua shumë pasi u fotografua duke luajtur tavëll në celularin e tij, por ndoshta ai gjeti recetën se si të tejkalohet gërçi në të cilin gjendemi. Ndoshta është mirë të organizohen lojëra në telefon mes shumicës dhe opozitës dhe kush fiton, të shpallet fitues edhe në debatin për ndryshimet kushtetuese, siç kanë propozuar shumë komentues në rrjetet sociale. Me të vërtetë nuk është ide aq e keqe, kur kemi parasysh se sa të kota janë arsyetimet për mospranimin e ndryshimeve kushtetuese, dhe kur kemi parasysh se vështirë mund të anëtarësohemi në BE përmes komunave, siç ka propozuar deputeti Skender Rexhepi Zejd.

Kushtetuta ka pësuar 36 ndryshime, askujt nuk i ka mbetur “shenjë”

Kushtetuta e Maqedonisë, si akti më i lartë juridik i shtetit, është miratuar më 17 nëntor 1991 dhe ka pësuar tetë ndryshime me 36 amendamente deri më tani.
Që sot në procedurë parlamentare hyn propozimi i Qeverisë për amendamentin e ri të nëntë të Kushtetutës, me të cilin parashihet që në Preambulë të përfshihen edhe popujt bullgarë, kroatë, malazezë, sllovenë, hebre dhe egjiptianë, shkruan Zhurnal.
Kushtetuta u ndryshua për herë të fundit më 11 janar 2019, kur Kuvendi me 81 vota “pro”, asnjë kundër dhe asnjë abstenim miratoi katër amendamentet për ndryshimin e emrit kushtetues nga Republika e Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut, pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Prespës e cila u nënshkrua me Republikën e Greqisë më 17 qershor të vitit 2018.

Më parë, ndryshimet në Kushtetutë janë bërë në vitet 1992, 1998, 2001, 2003, 2005, 2009 dhe 2011.
Ndryshimet e para të Kushtetutës u miratuan më 6 janar 1992 me miratimin e amendamenteve I dhe II. Ata vërtetojnë se shteti nuk ka pretendime territoriale ndaj shteteve fqinje dhe nuk do të ndërhyjë në të drejtat sovrane dhe punët e brendshme të shteteve të tjera.
Më 1 korrik të vitit 1998, me iniciativë të Gjykatës Supreme u miratua Amendamenti III dhe me të, afati për kohëzgjatjen maksimale të paraburgimit deri në aktakuzë u zhvendos nga 90 në 180 ditë nga dita e paraburgimit.

Deputetët në seancën e Kuvendit më 16 nëntor të vitit 2001 miratuan amendamentet IV, V, VI, VII, VIII, IX, X, XI, XII, XIII, XIV, XV, XVI, XVII dhe XVIII. Këto ndryshime janë miratuar si obligim nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit. Është ndryshuar Preambula e Kushtetutës, e cila është shkruar në një paragra. Në mënyrë krejtësisht të re është rregulluar çështja e aplikimit të gjuhës zyrtare dhe shkrimit të saj në të gjithë territorin e shtetit dhe në njësitë e vetëqeverisjes lokale. Në rendin kushtetues të shtetit është futur një vlerë e re themelore, përkatësisht përfaqësimi adekuat dhe i drejtë i qytetarëve nga komunitetet tjera në organet e pushtetit shtetëror dhe institucionet e tjera publike në të gjitha nivelet. Lista e bashkësive fetare e krijuar në Kushtetutën e vitit 1991 është zgjeruar. Të drejtat e pakicave etnike janë të rregulluara. Garantohet mbrojtja, promovimi dhe pasurimi i pasurisë historike dhe artistike të shtetit dhe të të gjitha komuniteteve në të. Parashikohet që për ligjet që prekin drejtpërdrejt kulturën, përdorimin e gjuhëve, arsimin, dokumentet personale dhe përdorimin e simboleve, Kuvendi vendos me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm, ndërsa duhet të ketë shumicë votash nga deputetët e pranishëm që u përkasin komuniteteve që nuk janë shumicë në vend.

Mënyra e zgjedhjes (shumica e dyfishtë) dhe kompetencat e Avokatit të Popullit janë të rregulluara. Është prezantuar Komisioni për marrëdhënie ndërmjet komuniteteve i themeluar nga Kuvendi dhe është përcaktuar përbërja e tij. Është rregulluar përfaqësimi i pjesëtarëve të komuniteteve pakicë në Këshillin Gjyqësor Republikan, në Gjykatën Kushtetuese dhe në Këshillin e Sigurimit. Është zgjidhur çështja e miratimit të ligjeve në fushën e vetëqeverisjes lokale (shumica e dyfishtë e votave), si dhe kompetencat e njësive të vetëqeverisjes vendore. Është rregulluar procedura për marrjen e vendimit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë. Sipas amendamentit të fundit, Preambula, nenet për vetëqeverisjen lokale, neni 131, gjegjësisht vendimi për aderim në amendamentin e Kushtetutës, si dhe nenet që rregullojnë vlerat themelore, të drejtën për barazi, si dhe të drejtat e komuniteteve pakicë dhe vendimi për shtimin e një dispozite të re, e cila i referohet temës së atyre dispozitave apo neneve, nuk mund të ndryshohet pa një shumicë prej dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve, në të cilin duhet të ketë shumicën e votat nga numri i përgjithshëm i deputetëve që u takojnë bashkësive që nuk janë shumicë në Republikën e Maqedonisë.

Më 26 dhjetor 2003, ligjvënësit miratuan Amendamentin XIX, i cili parashikon heqjen e paprekshmërisë së sekretit për të gjitha format e tjera të komunikimit, jo vetëm shkresat, siç përcaktohet me Kushtetutën e vitit 1991. Është konstatuar se ky ndrishim është kryer në bazë të vendimit të gjykatës, në kushtet dhe procedurën e përcaktuar me ligj dhe për arsye saktësisht të përcaktuara.
Amendamentet XX, XXI, XXII, XXIII, XXIV, XXV, XXVI, XXVII, XXVIII, XXIX dhe XXX janë miratuar nga Kuvendi në seancën e mbajtur më 7 dhjetor të vitit 2005. Ato i referohen reformave të sistemit gjyqësor, pra ndryshimit të organizimit të sistemit gjyqësor, zgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë. Ministrave i është hequr imuniteti, ndërsa i ruhet imuniteti vetëm kryetarit të Qeverisë, pasi vendimin për heqjen e imunitetit e merr Kuvendi, e jo Qeveria, siç parashikohet në Kushtetutën e vitit 1991.

Në seancën parlamentare të mbajtur më 9 janar të vitit 2009, u miratua amendamenti XXXI i Kushtetutës, i cili vendosi regjistrimin e popullsisë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës në raundin e dytë zgjedhor (kandidati që do të marrë shumicën e votave nga zgjedhësit. që kanë votuar, nëse kanë shkuar në zgjedhje, do të zgjidhen më shumë se dyzet për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve në Republikë).
Amendamenti XXXII i Kushtetutës është miratuar në seancën e Kuvendit të 12 prillit 2011 dhe ka të bëjë me pamundësinë e privimit të shtetësisë qytetarit të Republikës së Maqedonisë, përkatësisht pamundësisë për përjashtimin e tij nga shteti. Shtetasi i Republikës së Maqedonisë nuk mund të ekstradohet në shtet tjetër, përveç në bazë të marrëveshjes ndërkombëtare të ratifikuar dhe me vendim të gjykatës.

Ndryshimet e fundit kushtetuese u bënë më 11 janar të vitit 2019, kur ligjvënësi miratoi amendamentet XXXIII, XXXIV, XXXV, XXXVI të Kushtetutës, të cilat hynë në fuqi me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes Përfundimtare për Zgjidhjen e Diferencave të përshkruara në Rezolutat 817. (1993) dhe 845 (1993) të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për përfundimin e vlefshmërisë së Marrëveshjes së Përkohshme të vitit 1995 dhe për krijimin e një partneriteti strategjik ndërmjet palëve dhe ratifikimin e Protokollit të Aderimit në NATO nga faqja e Parë e Marrëveshjes Përfundimtare.
Me to ndryshohet emri i shtetit nga “Republika e Maqedonisë” në “Republika e Maqedonisë së Veriut”, bëhen ndryshime në Preambulë, garantohet sovraniteti, integriteti territorial dhe pavarësia politike e shteteve fqinje dhe kujdesi për diasporën.
Gati çdo ndryshim i Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut është përcjellur herë me debate të llojit se “shqiptarët po na e marin shtetin”, e herë me debate se “bashkësia ndërkombëtare ëhstë mobilizuar kundër vendit tonë”. Mirëpo ja që janë bërë 36 ndryshime deri dhe nuk ka ndodhur Apokalipsa, siç mundohej dikush të prejudikojë. Respektivisht, askujt nuk i ka mbetur “shenjë” nga ndryshimet kushtetuese, siç thotë populli. /Zhurnal

Të ngjajshme

Të fundit