Një dokumentar hulumtues i Laboratorit të Reporterëve Hulumtues IRL hetoi dhe zbuloi se si u ndërtuan spitalet modulare në mbarë Maqedoninë e Veriut, përfshirë atë në Tetovë, i cili u dogj deri në themel me 14 pacientë të djegur gjallë, një tragjedi e rëndë që ndodhi më 8 shtator të 2021. Dokumentari sjell të dhëna brengosëse, përmes të cilave pretendon se zbardh shumë prapaskena se si hetimet nuk kanë qenë të plota, anashkaluese për zyrtarë të lartë dhe kompaninë që ishte përgjegjëse për ndërtimin e spitaleve modulare.
Kush ka gabuar, mos të amnistohet!
E këto të dhëna pretendojnë se Ministria e Vetëqeverisjes Lokale kishte anuluar tenderin për këto spitale për shkak të parregullsive. Por, pas kësaj, Ministria e Shëndetësisë me në krye ministrin Venko Filipçe merr gjitha kompetencat dhe shpall tenderin e njejtë me të njejtat specifikime dhe nga personi që ka bërë specifikimin teknik, dhe bëhet fjalë për person që nuk ka pasur licencë. Person’ja e implikuar është një inxhiniere ndërtimi, e cila pas angazhimit në kabinetin e ish-ministrit Venko Filipçe, është punësuar në kompaninë Brako që kishte vendosur kontejnerët si spitale modulare.
Këtu është pikënisja e dyshimeve të reja që sjell ky dokumentar, shkruan Zhurnal. IRL arrin të siguroj dokumente të tenderëve, ku vërtetohen shumë lëshime dhe shkelje ligjore. Denoncuesit arrijnë ti japin dokumente gazetarëve, derisa institucionet nuk kanë bërë një gjë të tillë. Këtu përfshihen dokumente dhe raporte të ekspertëve gjermanë, që u pritën me popmoziyet, si garancë për hetime të pavarura dhe reale, por më pas nuk u përfillën fare gjatë hetimeve.
Sipas IRL, spitali modular nuk ishte i pajisur me kabllot dhe prizat e duhura. Ata shtojnë se nuk ka raportim për rrymën që është lidhur në objektin konkret të djegur në Tetovë. Shtojca tregon se si në momentin e zjarrit ka pasur ende rrymë në central, gjë që tregon se pavarësisht zjarrit të madh – siguresat nuk janë shkyçur. Një ekspert që flet në dokumentar tregon se nëse siguresat do të ishin fikur në kohë kur ka ndodhur lidhja në kabllon vazhduese, zjarri nuk do të kishte ndodhur, së paku jo në përmasa aq të mëdha.
Kjo pasohet nga dilema tjetër. Nëse siguresat shkyçërse do kishin reaguar me kohë, atëherë a do kishte viktima? Ose a do të ishte aq i madh numri i viktimave? Meqë bëhet fjalë për jetë njerëzore edhe qasja në ndriçimin e rastit duhet të jetë më serioze. Mos o zot, nuk guxon askush të bëjë kalkulime se meqë viktimat janë të një bashkësie të caktuar etnike, atëherë sështë e domosdoshme që masat dhe dënimet të jenë rigoroze, si kur të kishin qenë të bashkësisë tonë etnike, shkruan Zhurnal.
Pa përgjegjësi, nuk ka rehati!
Aq më pak duhet të bëhen kalkulime se çfarë postesh kanë pasur, ose kanë për momentin fjatorët për këtë tragjedi, e cila na tronditi si rralla tjetër tragjedi që kishte ndodhur më parë. Kushdo që të jetë, duhet të japë përgjegjësi për pjesën e vetë të fajit, sepse nëse nuk jepet përgjegjësi për 14 viktima, atëherë besimi në institucione jo që do të bie, por do zhduket tërësisht. Disa nga spitalet modulare, përfshirë edhe atë të djegur në Tetovë, janë ndërtuar nga kompania “Brako” e ish-zëvendëskryeministrit për çështje ekonomike Koço Angjushevit, që ishte pjesë e Qeverisë së Zoran Zaevit. Dokumentari flet edhe për atë pjesë të dokumentacionit të ndërtimit, që janë evidentuar shumë mangësi.
Në procesin gjyqësor janë zbuluar shumë mangësi, dhe se në fund nuk kishte asnjë akuzë për shkaqet e zjarrit. Pas një procesi gjyqësor me disa seanca të prolonguara në fund u shpallën fajtor ish-drejtori i spitalit të Tetovës, Florin Besimi që u dënua me 1 vit e 6 muaj burg me kusht, po ashtu 1 vit e 6 muaj me kusht edhe ish drejtori ekonomik – Artan Etemi, që do të thotë se ata nuk do të vuajnë dënim me burg nëse për 3 vjet nuk kryejnë vepër të re penale. Mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit – Boban Vuçevski u lirua nga akuza. Ndërkaq, Spitali i Tetovës mori dënim prej 1 milion denarësh të cilin duhet ta paguaj brenda 30 ditëve, Ky është vendimi i Gjykatës së Tetovës për rastin e zjarrit në spitalin modular të Tetovës ku jetën e humbën 14 persona. Ky është vendimi i shkallës së parë për këtë çështje dhe ka mundësi që mbrojtja apo prokuroria të ankohen në Gjykatën e Apelit./Zhurnal