Kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamed Elmazi, ka reaguar ndaj disa shkrimeve të publikuara në media, ku përmendet emri i tij, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe spekulative, shkruan POPULLI.mk.
Përmes një reagimi publik, Elmazi thekson se informacionet e publikuara “nuk pasqyrojnë kurrfarë realiteti”, por sipas tij, janë “konstruksion i qëllimshëm që synon të krijojë perceptim të gabuar në opinion”.
Ai shpreh shqetësim edhe për faktin se, sipas tij, mediat që kanë publikuar pretendimet nuk kanë kërkuar paraprakisht qëndrimin e tij.
“Bëhet fjalë për një spin klasik mediatik, me qëllime të ulëta”, deklaron Elmazi.
Sipas tij, këto sulme janë pjesë e një tendence për dëmtimin e emrit të tij dhe krijimin e konfuzionit në opinion, sidomos në prag të 9 majit, datë që ai e ndërlidh me Kongresin e Bashkimit.
“Sa më shumë afrohet kjo datë, aq më shumë vërehet nervozizëm te oponentët politikë, të cilët përpiqen të prodhojnë lajme të pavërteta dhe t’i përdorin ato për qëllime politike”, thuhet në reagimin e tij.
Në fund, Elmazi thekson se banorët e Sarajit e njohin punën dhe angazhimin e tij, duke shtuar se “ka kaluar koha kur sarajlitë janë turpëruar nga të zgjedhurit e tyre”.
Reagimin e përmbyll me sloganin: “VLEN NJË. VLEN PO VJEN…”.
© POPULLI.mk
