Kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamet Elmazi, ka njoftuar për fillimin e punimeve për rikonstruksionin e rrugës në hyrje të vendbanimit Krushopek, një projekt i rëndësishëm që synon përmirësimin e infrastrukturës lokale dhe kushteve të jetesës për banorët, informon POPULLI.mk
Në kuadër të nisjes së këtij projekti, kryetari Elmazi, së bashku me zëvendësministren e Transportit Kaltrina Zekolli Shaqiri, drejtorin e Ndërmarrjes Publike për Parqe dhe Gjelbërime Muamer Seferi, si dhe këshilltarë komunalë dhe banorë lokalë, realizuan një inspektim në terren për të parë nga afër fillimin e punimeve.
Sipas projektit, rruga do të ketë gjatësi prej 440 metrash dhe do të ndërtohet me dy korsi nga 3 metra secila. Gjithashtu, parashihet ndërtimi i trotuareve në të dy anët, hapësira për parking, sistem i kanalizimit atmosferik dhe ndriçim publik modern.
Vlera e përgjithshme e investimit arrin në 440 mijë euro dhe financohet nga Ministria e Transportit.
Kryetari Elmazi theksoi se Komuna e Sarajit do të vazhdojë me përkushtim në realizimin e projekteve që synojnë zhvillimin dhe modernizimin e çdo vendbanimi në territorin e saj.
© POPULLI.mk
