4.8 C
Skopje
E enjte, 29 Janar, 2026

Emërime politike që rrezikojnë barazinë në RMV!

Një paraqitje publike që duhej të ishte garanci për profesionalizëm, u shndërrua në simbol të një problemi më të thellë institucional. Kandidatja për anëtare të Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, Xhihan Ahmed, me një dalje ku nuk tregoi njohuri elementare për Konventën e Stambollit, hapi sërish dilemën: deri kur shteti do të vazhdojë të emërojë kuadro që nuk i njohin as bazat e fushës për të cilën kandidojnë?

Në vend që të fliste për përmbajtjen, mekanizmat dhe obligimet që rrjedhin nga Konventa e Stambollit, dokument kyç për mbrojtjen nga dhuna me bazë gjinore, Ahmed foli për kontekstin historik të Stambollit dhe periudhën e Ataturkut. Kjo paraqitje shkaktoi reagime të menjëhershme dhe të ashpra nga organizatat e shoqërisë civile, por dhe nga gjithë opinioni.

Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi vlerësoi se është e papranueshme që një person që synon të vendosë për barazi, të drejta gjinore dhe mbrojtje nga diskriminimi, të mos e njohë instrumentin kryesor ndërkombëtar në këtë fushë. Sipas tyre, rasti ngre dyshime serioze jo vetëm për kompetencën e kandidates, por edhe për kapacitetin real të institucioneve për të zbatuar obligimet ndërkombëtare që shteti ka marrë përsipër.

Nën presionin e madh publik dhe kritikave të vazhdueshme, Xhihan Ahmed e tërhoqi kandidaturën e saj, duke e mbyllur formalisht një proces që, megjithatë, la pas shumë pikëpyetje.

ÇFARË ËSHTË KONVENTA E STAMBOLLIT DHE PSE ËSHTË THELBËSORE

Konventa e Stambollit, e miratuar në vitin 2011 dhe në fuqi që nga viti 2014, është dokumenti i parë ndërkombëtar juridikisht obligues që trajton në mënyrë sistematike dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje. Ajo bazohet në katër shtylla: parandalimin, mbrojtjen e viktimave, ndjekjen penale të kryerësve dhe politikat e koordinuara.

Maqedonia e Veriut e ratifikoi Konventën në vitin 2017, ndërsa ajo hyri në fuqi një vit më vonë, duke e obliguar shtetin të harmonizojë ligjet, politikat dhe praktikat institucionale me standardet evropiane. Sipas të dhënave zyrtare, vetëm gjatë vitit 2023 janë regjistruar mbi 1.200 raste të dhunës në familje, ku gratë përbëjnë mbi 80 për qind të viktimave. Ekspertët theksojnë se këto shifra tregojnë më shumë rritje të raportimit sesa të dhunës, por edhe nevojën për institucione funksionale dhe profesionale.

GABIM INDIVIDUAL APO PROBLEM SISTEMIK?

Ekspertët vlerësojnë se mosnjohja e Konventës nga një kandidate për Komisionin për Mbrojtje nga Diskriminimi nuk është thjesht gafë, por sinjal i një problemi më të thellë: emërime politike, mungesë kriteresh profesionale dhe dobësi në filtrimin e kuadrove. Analisti Naim Sinani vlerëson se derisa kriteri bazë për një pozitë drejtuese nuk është profesionalizmi, përvoja dhe integriteti personal i një individi, por mjafton bindja partiake dhe lojaliteti ndaj liderit të partisë, institucionet në vend që tu shërbejnë qytetarëve, vazhdojnë tu shërbejnë partive politike dhe militantëve të tyre.

“Pa depolitizim të vërtetë të administratës dhe pa vendosjen e meritokracisë si standard, reformat dhe motoja për ndryshime, do të vazhdojnë të mbeten një slogan bosh. Vetëm kur drejtimin e institucioneve do ta marrin profesionistët me integritet, që i shërbejnë ligjit dhe qytetarit e jo partisë, mund të flasim për ndryshime reale. Deri atëherë, çdo ‘reformë’ në cilin do institucion, apo në cilën do fushë, do të jetë thjesht një fasadë apo siç e thotë populli sa për sy e faqe”, theksoi Sinani.

Ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, vlerëson se faji në këtë rast nuk është individual, por më i madh. Ai vlerësoi lartë tërheqjen e Ahmedit nga kandidatura për Komisionin për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi, ndërkohë tha se përgjegjësia e vërtetë nuk qëndron te kandidatja, por te përfaqësuesit politik.

“Xhihan Ahmed pati një ditë të keqe në prezantimin e saj në Kuvend. Me shumë gjasë i ishte thënë se gjithçka ishte vetëm formalitet dhe se votat për zgjedhjen e saj ishin të siguruara. Pikërisht kjo është kurthi në të cilin do të binin mbi 90 për qind e atyre që më parë janë zgjedhur në pozita të këtij niveli, pa kaluar nëpër një intervistë të këtij lloji. Megjithatë, fajtorët e vërtetë janë përfaqësuesit e VLEN-it, përkatësisht ata që menaxhojnë çështjet kadrovike, sepse nuk i përgatisin kandidatët e tyre për një intervistë ‘të vështirë’ dhe për paraqitje në sallën e Kuvendit. Me tërheqjen morale nga kandidatura, Xhihan meriton vetëm respekt – asgjë më shumë, asgjë më pak”, vlerëson Lloga.

Aktivistja Mersija Smailloviq, ndërkohë theksoi se ky nuk është rasti i parë, ndërkohë që rikujtoi përvojën e saj personale nga viti 2020, kur, sipas saj, një anëtar i Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi ishte zgjedhur nga shumica parlamentare e atëhershme pa u paraqitur fare para komisionit kuvendor.

“Kur unë aplikova për Komisionin, anëtari që në vitin 2020 u zgjodh nga shumica parlamentare (LSDM dhe BDI), doktor i mjekësisë, me CV të shkruar me dorë, nuk u paraqit para Komisionit Parlamentar. E zgjodhën pa e parë dhe pa e dëgjuar askush nga ne. Xhihan, e sigurt në përgjigjet dhe dijeninë e saj, as nuk do të duhej të paraqitej. Sigurisht që do të kalonte. Ajo nuk i meriton komentet e shumta negative dhe talljen. Në shtetin tonë, Zoti e di sa ministra, deputetë e drejtorë janë në të njëjtin nivel!”, shprehet Smailloviç

Reagime shtesë nxiti edhe fakti që kandidatja publikisht falënderoi për “emërimin” e saj Izet Mexhiti, para se të kishte vendim formal nga Parlamenti, duke ngritur dyshime për ndikim partiak dhe cenim të pavarësisë së procesit. Rasti i Xhihan Ahmedit u mbyll me tërheqjen e kandidaturës, por pyetja mbetet e hapur: a do të nxjerrë shteti mësim nga kjo situatë, apo emërimet pa njohuri elementare do të vazhdojnë të jenë rregull e jo përjashtim? /Koha/

Të ngjajshme

Të fundit