Pas vendimit të Aleancës për Shqiptarët për t`u larguar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, kryeministri Hristian Mickoski paralajmëroi sot se, në periudhën që vijon, do të bëhen të ditur emra të rinj që do të zëvendësojnë eksponentët e Aleancës për Shqiptarët në ekzekutiv.
“Anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të partisë më autorizuan që në periudhën në vijim të nominoj emra të rinj që do t’i zëvendësojnë emrat e atyre që vendosën të shkojnë në përqafimin e Ali Ahmetit dhe të BDI-së, respektivisht të partisë së z.Arben Taravarit”, theksoi kryeministri Hristian Mickoski.
Kurse, zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, gjatë një deklarate për media, kur u pyet për rënien nga 14 në 9 të numrit të deputetëve të VLEN-it, tha se loja sapo ka nisur dhe se do të luhet në fushën e Frontit Evropian.
“Sa u përket deputetëve, mendoj që loja nuk ka përfunduar. Loja ka filluar. Nëse kanë menduar se me lëvizjen e z.Taravari ka përfunduar loja, atëherë do të shohim në vijim se kjo lojë do të vazhdojë dhe do të luhet në terrenin e Frontit Evropian.”
Aleanca për Shqiptarët ditë më parë mori vendim që të largohet nga Qeveria. Kryetari i saj, Arben Taravari, largimin e arsyetoi për çështje etnike, por edhe për shfuqizimin e ligjit për përfaqësim të drejtë.
“Kryesisht ishin plot gjëra që bëhej fjalë për çështje etnike. Balanceri u hoq, ne kërkuam ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, na premtohej nëntor, dhjetor, janar, shkurt, u bë maji, askund nuk është ligji. Ka edhe pakënaqësi tjera të cilat na i thonë qytetarët në përditshmëri”, deklaroi ai.
Aleanca për Shqiptarët do të veprojë tani në opozitë dhe ndërkohë pritet të formojë grupin e saj parlamentar.