28.8 C
Skopje
E hënë, 9 Qershor, 2025

Erion Veliaj kërkon masë më të butë sigurie – vendimi në pritje

Ka nisur në Apelin e Posaçëm seanca për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn, i cili kërkon zbutje të masës së sigurisë “arrest me burg’, duke ofruar si alternativë një garanci pasurore, pa përcaktuar një shumë të saktë, duke ia lënë vlerësimin gjykatës.

Veliaj mësohet se nuk është i pranishëm personalisht në gjykatë, por përfaqësohet nga avokati i tij, Ermir Beta.

Ndërkohë, në sallën e gjyqit ndodhet edhe Elman Abule, i cili është i pranishëm dhe i shoqëruar nga avokatja Romina Zano.

Seanca po zhvillohet në prani të palëve dhe avokatëve përkatës, ndërsa gjykata pritet të marrë vendim në lidhje me çështjen.

Erion Veliaj ndodhet në burgun e Durrësit që prej datës 10 shkurt, pasi po hetohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 episode dhe pastrim parash. Ai u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme dhe që prej asaj kohe ka kërkuar disa herë lirimin nga paraburgimi, pa sukses.

Seanca e sotme në Apel vjen pas ankimit të vendimit të 23 prillit, kur gjyqtari Erion Bani vendosi të vijojë masën e sigurisë, duke pranuar raportin periodik të SPAK mbi ecurinë e hetimeve. Këtë vendim Veliaj e ka ankimuar përmes avokatëve, të cilët insistojnë se nuk ekzistojnë më kushtet për mbajtjen në burg.

Paralelisht, kryebashkiaku ka dërguar rekurs edhe në Gjykatën e Lartë kundër masës së sigurisë, por ende nuk është caktuar data e shqyrtimit apo trupa gjykuese që do ta shqyrtojë çështjen.

Për momentin, mbrojtja e Veliajt ka kërkuar që ai të mbrohet në gjendje të lirë ose nën një masë tjetër më të lehtë, përfshirë “Arrest shtëpie” apo “Detyrim paraqitjeje”. Nëse Apeli nuk ndryshon masën, Veliaj do të mbetet në qeli në pritje të një vendimi tjetër, këtë herë nga Gjykata e Lartë, e cila do të duhet të shqyrtojë rekursin e bërë për të njëjtën çështje.

Të ngjajshme

Të fundit