33.8 C
Skopje
E premte, 6 Qershor, 2025

Europa, fushëbeteja e re e karteleve të dr0gës!

Për shkak të luftës së egër midis tyre, kartelet e drogës në Amerikën Latine po e nkthejnë fokusin e tyre në Evropë, përmes porteve dytësore në vende si Rusia, Suedia dhe Portugalia. Pjesa më e madhe e kokainës transportohet brenda kontejnerëve detarë, të fshehur në importe të ligjshme si banane ose miell.

Një grup vizitorësh po bënin një udhëtim të shkurtër nga San Trope deri në fshatin mesjetar Le Val. Kafenetë, mulliri i vajit të ullirit dhe kisha e shekullit XI-të janë zakonisht tërheqëse për të huaj. Prandaj prania atje e 5 meksikanëve më shumë se 2 vjet më parë, nuk duhej të ishte dhe aq pazakontë.

Edhe pse kishin udhëtuar gjatë për të mbërritur në një fshat ku nuk ndodhin shumë gjëra. Megjithatë, ai ishte qëllimi. Burrat, që kishin marrë me qira një vilë luksoze, punonin për bandën më të frikshme të drogës në botë, kartelin Sinaloa. Meksikanët, që të gjithë kimistë, mbërritën në Le Val për të ngritur një laborator të metamfetaminës, dhe për t’i mësuar vendasit se si ta prodhonin atë.

Pastaj u kthyen në Meksikë, duke marrë me vete një pjesë të fitimeve. Kur policia franceze bastisi pronën, laboratori ishte në kulmin e veprimtarisë së tij, dhe 5 meksikanët ishin larguar prej kohësh. “Ata erdhën këtu sepse ne jemi një komunitet i qetë, dhe ashtu si ne, nuk donin të shqetësoheshin”– tha Jérémy Giuliano, kryetari i bashkisë së Le Val. Laboratori ishte operacioni i parë i konfirmuar i kartelit Sinaloa në territorin franceze. Dhe s’ka gjasa që të jetë i fundit. Europoli ka paralajmëruar vitet e fundit mbi thellimin e lidhjeve midis karteleve të Amerikës Latine dhe bandave evropiane të drogës.

Detektivët besojnë se rreth 400 kg metamfetaminë u prodhua në Le Val për t’u shitur brenda Francës, por edhe u trafikua në vende të largëta deri në Zelandën e Re, për një fitim prej mbi 11 milionë euro. 15 personat e arrestuar në Le Val, ishin kryesisht francezë dhe kriminelë të zonës.

Megjithatë, disa anëtarë të dyshuar të Sinaloa-s nuk u larguan nga vendi. Elias Heriberto Ravo Tobar, një 66-vjeçar nga Kolumbia, u arrestua në Paris të premten pas një informacioni të dhënë nga autoritetet në SHBA, ku ai kërkohet për trafik kokaine.

Në Le Val, detektivët nisën hetimet e tyre qëkur 2 burra u arrestuan vitin e kaluar me 215 kg metamfetaminë në një garazh pranë qytetit jugor Brignoles. Që të dy ishin francezë, dhe me precendentë penalë për trafik kokaine. Njëri ishte kunati i një trafikanti të njohur meksikan.

Karteli Sinaloa ka ndikim në të gjithë botën. Ai ka klientë në çdo kontinent dhe dërgesat e kimikateve për të prodhuar drogë janë të mirë-dokumentuara në Kinë, Indi dhe në të gjithë Azinë. Megjithatë, prej një kohë të gjatë, kishte pak prani në Evropë, ku pjesa më e madhe e tregtisë së drogës është drejtuar kryesisht nga bandat shqiptare dhe ato marokene.

Por kjo po ndryshon. “Zbulimi i një laboratori të lidhur me një kartel meksikan në Francë, nuk ishte ndonjë surprizë e madhe. Nuk kishte asnjë arsye të supozohej se Franca do të kursehej. Karteli Sinaloa është një organizatë shumëkombëshe e trafikut të drogës, me dhjetëra mijëra njerëz të përfshirë në operacionet e tij në të gjithë botën” – tha Dominique Lambert i Xhandarmërisë Kombëtare, i cili përmend operacione të ngjashme në Belgjikë dhe Holandë.

Një nga faktorët që e nxit kartelin të zgjerojë operacionet, është presioni në rritje nga autoritetet amerikane, mbi një nga burimet e tij kryesore të të ardhurave: furnizimin e tregut amerikan me fentanil dhe kokainë. Një nga udhëheqësit i Sinaloas, Ismael “El Mayo” Zambada, u arrestua korrikun e vitit të kaluar kur avioni i tij u ul në Teksas.

Ai u tradhtua nga një rival, Joaquin Guzman Lopez, djali i bosit famëkeq të kartelit, Joaquin “El Chapo” Guzman. Që nga ai moment, është përshkallëzuar një luftë për pushtet midis ndjekësve të tyre. “Në Sinaloa po zhvillohet një luftë midis dy fraksioneve, Los Chapitos dhe Los Mayos, me 10-15 të vrarë në ditë në Culiacán, kryeqytetin e këtij shteti”- thotë Bertrand Monnet, ekspert mbi menaxhimin e riskut kriminal, i cili ka shpenzuar një dekadë duke studiuar kartelin e Sinaloas.

“Kjo e bën më pak të sigurt prodhimin e drogës atje sesa gjetkë. Një arsye tjetër për zhvendosjen e prodhimit drejt Evropës, është se droga kushton më shumë këtu sesa në Amerikën e Veriut” – shton ai.  Vitin e kaluar, raporti i strategjisë ndërkombëtare të kontrollit të narkotikëve i Departamentit amerikan të Shtetit, vuri në dukje se “kërkesa për kokainë është rritur ndjeshëm në Evropë, duke e tejkaluar ndoshta edhe atë në Shtetet e Bashkuara”.

Po vjet, Agjencia e Bashkimit Evropian për Luftën kundër Drogës, zbuloi rritje të dukshme të mbetjeve të kokainës në ujërat e zeza të testuara në 39 nga 72 qytete evropiane. Shumë autoritete evropiane, i kanë shtuar operacionet e tyre të inteligjencës kundër trafikut të drogës nga Amerika Latine.

Kjo ka sjellë sekuestrime rekord të kokainës në portet evropiane, nga Roterdami në Malaga. InSight Crime, një agjenci e gazetarisë investigative, thotë se kartelet e drogës në Amerikën Latine po e kthejnë fokusin e tyre në Evropë dhe “kanë diversifikuar rrugët e trafikut të kokainës… përmes porteve dytësore në vende si Rusia, Suedia dhe Portugalia”.

Pjesa më e madhe e kokainës që vjen në Evropë nga Amerika e Jugut, transportohet brenda kontejnerëve detarë, të fshehur në importe të ligjshme si banane ose miell. “Nëndetëset e narkotikëve”, të cilat fillimisht u projektuan për të kaluar drogën nga Kolumbia në Karaibe dhe më pas në Florida, janë përshtatur për të transportuar drogë në Evropë dhe deri në Australi.

Në tetor 2024, agjentët doganorë spanjollë thanë se kishin kapur në portin jugperëndimor të Algeciras 13 ton kokainë, me një vlerë tregu prej mbi 1 miliard dollarë. Ngarkesa e kapur, më e madhja në historinë e Spanjës, ndodhi më pak se një vit pas një sekuestrimi prej 9.5 ton kokainë të fshehur në një kontejner bananeje frigoriferik nga Ekuadori.

Spanja është bërë shumë tërheqëse për bandat e Evropës Lindore, sepse deri vonë ata që deklaroheshin turistë nuk kishin nevojë për vizë për ta vizituar. Për më shumë se 2 dekada, periferitë më të varfra të Madridit kanë qenë dëshmitare të shpërthimeve të dhunës midis bandave, me shkëmbime zjarri midis bandave të quajtura “Mbretërit Latinë” ose “Trinitarios” që kanë shkaktuar shqetësim kombëtar.

Tani ato kërcënojnë të tejkalojnë në numër edhe përplasjet midis bandave evropiane në Costa del Sol në Barcelonë. Policia njoftoi këtë vit se arriti të parandalojë një kërcënim serioz. Një operacion në mars, çoi në arrestimin e 27 anëtarëve të Mara Salvatrucha, e cila njihet zakonisht si MS-13 dhe konsiderohet organizatë terroriste nga SHBA-ja.

Banda e ka origjinën në Los Angeles në vitet 1980 midis komuniteteve nga El Salvadori dhe Hondurasi. “Të arrestuarit, dyshohet se ishin pjesë e një ‘programi’ që synonte të vendosej dhe të zgjerohej me dhunë në Spanjë, duke ndjekur udhëzime specifike nga kontinenti amerikan”, tha policia, duke shtuar se grupi po planifikonte një vrasje me kontratë dhe përbënte një “kërcënim për sigurinë e brendshme të vendit”.

Një burim policor, pranoi për gazetën ABC se banda të ngjashme po fitonin terren në të gjithë Spanjën. “Sinqerisht, e kemi shumë të vështirë që t’i ndalim. Gjatë këtij operacioni pamë se fenomeni i bandave po përkeqësohet. Por të paktën me këtë aksion, u kemi dërguar një mesazh të qartë se jemi kundër tyre, dhe do vazhdojmë t’i luftojmë”– tha burimi.

Monnet thotë se është e vështirë të kundërshtohet ndikimi i kartelit Sinaloa në Evropë. “Kjo është një organizatë shumë e pasur, me burime të mëdha. Me paratë e tyre, ata mund të korruptojnë zyrtarët lokalë dhe të ndërtojnë lidhje me organizatat kriminale lokale. Zgjidhja më e mirë është të sulmohen kartelet aty ku ato janë pak më të prekshme: operacionet e tyre të pastrimit të parave”– thekson ai

Kartelet marrin një përqindje të fitimeve të gjeneruara nga aleatët e tyre në Francë dhe vende të tjera, të cilët ngurrojnë t’i mashtrojnë, pasi janë shumë të frikësuar nga hakmarrja e mundshme e tyre.

“Kartelet përdorin parajsa fiskale si Panamaja dhe Dubai, duke i investuar fitimet e tyre në pasuri të paluajtshme ose biznese të ligjshme. Bashkëpunimi ndërkombëtar kundër pastrimit të parave, po jep rezultate të mira, por nevojitet shumë më tepër përparim që të jetë vërtet efektiv”– thekson Dominique Lambert.

 

 

Burimi / “Sunday Times”

Të ngjajshme

Të fundit