Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi ka njoftuar se ka dalë nga Spitali dhe se i rikthehet përgjegjësisë, njofton TV21.
“Disa ditë pas qëndrimit tim në Klinikën Universitare për Kirurgji Digjestive, sot ndjehem mirë dhe pasi u kryen të gjitha kontrollet e nevojshme, jam liruar nga spitali.
Falë Zotit, gjendja ime shëndetësore është stabile.
Në radhë të parë, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time më të thellë dhe të sinqertë për të gjithë ata që u kujdesën për mua gjatë kësaj periudhe.
Falënderim të veçantë i drejtoj drejtorit të klinikës, prof. dr. Ognen Kostovski, mjekëve, infermierëve dhe të gjithë personelit shëndetësor, për profesionalizmin, përkushtimin dhe humanizmin që treguan.
Gjithashtu, falënderoj nga zemra të gjithë juve, miqtë, kolegët, bashkëqytetarët, përfaqësues të institucioneve dhe mediave, për fjalët e ngrohta, mesazhet e shumta dhe interesimin tuaj të vazhdueshëm. Kujdesi juaj ka qenë një forcë shtesë për rikuperimin tim.
Rikthehem sërish në kryerjen e detyrave publike, i vetëdijshëm për përgjegjësitë që mbaj dhe i përmbushur me dashurinë e mbështetjen që mora nga ju”, shkruan Gashi.
