18.8 C
Skopje
E diel, 15 Mars, 2026

Faton Peci: Me vullnet dhe shpresë çdo seancë, por opozita s’reflekton

Kryetar i Listës Guxo, Faton Peci tha se do të bëhet përpjekje sërish që të themelohet Komisioni i cili do të verifikojë votat për kandidaten e propozuar për kryetare të Kuvendit.

Para gazetarëve, deputeti Peci tha se në “çdo në seancë vijnë me vullnet dhe shpresë se partitë opozitare do të reflektojnë në qëndrimet e tyre”.

Ai po ashtu komentoi deklarimin e shefes së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ku kishte thënë se “nuk do ta votojnë asnjë propozim të LVV-së për kryeparlamentar”.

Peci tha se në këtë rast nuk është problemi tek emri i Albulena Haxhiut.

Sipas tij, Bajrami bëri shkarje kur tha se “prej 13 tentimeve është dashur të provohen 48 emra”, ngase sipas tij nuk mund të bëhet një gjë e tillë.

“Ne çdo ditë vijmë me vullnet pozitiv, me shpresë që partitë tjera opozitare do të reflektojnë për nevojën dhe domosdoshmërinë që Kosova të ketë institucione, në radhë të parë duke konstituar Kuvendin. Ne do të vazhdojmë të bëjmë përpjekje që të themelojmë komisionin i cili do ta ketë mandatin të verifikojë votat për kandidatin tonë për kryetare të kuvendit…Sa i përket emrit, mbrëmë e kam parë në emisionin Politiko një fragment të emisionit të Shefes së Grupit Parlamentar të LDK-së, mendoj se ishte korrekte dhe e sinqertë. Ajo deklaroi që për asnjë emër që është propozim i LVV-së, ata nuk do ta votojnë. Rrjedhimisht gjithë kjo zhurma ose tentative që ta identifikojnë Albulena Haxhiun si problem, nuk është problemi…Vetëm se bëri një shkarje, se tha prej 13 tentimeve është dashur të provohen 48 emra. 48 emra a nuk provohen përmes 13 tentimeve”, tha Peci.

Përveç kësaj, Peci tha se nëse ftohen për takim nga presidentja, me rëndësi është se si do të jetë përmbajtja e ftesës.

“Institucioni i presidentit është institucion mbi partiak dhe nuk vihet aty kushte se kush merr pjesë ose kush nuk merr. Presim që nëse vije ndonjë ftesë e tillë. Përveç ftesës është e rëndësishme edhe përmbajtja”, tha Peci.

Peci u pyet edhe rreth reagimit të tij mbrëmë në Facebook, për çka tha se “të pavërtetat dhe shpifjet do të përfundojnë në padi”.

“Këtu jam për të marrë pjesë në një ngjarje shumë të rëndësishme për Kosovën. Nuk dua të debatoj sepse kam dalë dhe kam dhënë të gjitha shpjegimet e nevojshme dhe rrjedhimisht të gjitha të pavërtetat dhe shpifjet e radhës do të përfundojnë në padi për shpifje në ditët në vazhdim”, potencoi Peci.

Deputetët do të tentojnë edhe sot ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës në vazhdimin e seancës e cila pritet të nis në ora 10:00.

Ata të mërkurën kanë dështuar të konstituojnë Kuvendin në përpjekjen e 12-të. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari i LVV-së, sërish pati insistuar që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të ndodh përmes votimit të fshehtë.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka nisur më 15 prill dhe procesi ka ngecur te zgjedhja e kryeparlamentarit pasi që LVV-ja, në koalicion parazgjedhor me Guxo dhe Alternativa, nuk po arrijnë të sigurojnë 61 votat e nevojshme për kandidaten e tyre, Albulena Haxhiun.

Të ngjajshme

Të fundit