Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti me bashkëpartiakë e kolegë sot ka vendosur lule te busti i heroit të kombit, Gjergj Kastrioti Skenderbeu në Çarshinë e Shkupit me rastin e 556 vjetorit të vdekjes së tij, informon POPULLI.mk
“Madhështinë e veprave të heronjve tanë nuk e zbehin dot vitet që kalojnë, atdhedashuria e tyre na mban në këmbë e në ballë të misioneve të përparimit të kombit.
Në Sheshin Skenderbeu në Shkup kujtuam sot në 556 vjetorin e vdekjes heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastriotin – Skenderbeun, betejat e tij heroike kundër pushtuesit osman, bashkimin kombëtar që ishte forca e fitoreve të tij kombëtare dhe amanet i përhershëm.
Sot bëhen edhe 42 vjet nga rënia e vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, veprimtaria kombëtare e të cilëve ishte busulla orientuese e rrugës për jetësimin e idealit të Kosovës së lirë.
Lavdi e përjetshme kryetrimit tonë Gjergj Kastrioti – Skenderbeu, vëllezërve Gërvalla, Kadri Zekës e të gjithë heronjve në çdo etapë të kauzës sonë kombëtare!”, ka shkruar Ali Ahmeti.
© POPULLI.mk
