Në praninë e 1500 personave brenda në sallë dhe 500 të tjerëve që prisnin para dyerve të Qendrës për kulturë në Manastir, Ansambli Nacional i këngëve e valleve popullore shqiptare shënoi 115 vjetorin e Kongresit të Manastirit! Falenderimi më i madh i takon publikut që madhëroi këtë ngjarje, 1000 në sallë dhe mbi 500 jashtë si kurrë më parë! Për shkak të interesimit të madh, ansambli shqiptar u kërkon ndjesë atyre që nuk arritën të ndjekin për së afërmi performancat me premtimin se në gjëra të tilla madhore do të vendoset një Led- ekran para Qendrës për kulturë në mënyrë që emocionet e jashtëzakonshme të festës të barten tek secili artdashës! Ndërkohë shfrytëzojmë rastin ti falenderojmë mijëra mërgimtarë dhe shqiptarë që na kanë ndjekur përmes ekraneve televizive dhe tash dy ditë pranojmë urata e përgëzime të panumërta!
Në sallë ishte i pranishëm kryetari i komunës së Manastirit, drejtori i Instititutit të Trashëgimisë kulturore e shpirtërore në RMV bashkë me trungun e Qiriazëve si dhe miq e dashamirë nga Gjermania, Zvicra e shumë vise shqiptare. Programi u hap me Himnin e Alfabetit interpretuar nga grupi i këngëtarëve të ansamblit për të vazhduar me vargjet nga “Gjuha Shqipe” e rilindasit Naim Frashëri, imterpretuar nga aktori Pajazit Murtishit.
Koncerti vazhdoi më tutje me interpretimin e këngës “Bien Lodrat”, duke vazhduar me “Vallen e kampionëve” sjellur në skenë nga vallëtarët, koreografi me të cilën Ansambli triumfoi në Turqi, duke sjellur në vend, çmimin e parë!
Blloku i dytë u takoi këngëtarëve, duke na sjellur këngët “Mashalla bukurisë sate” interpretuar nga Besarta Murtezani, “Fustanin që ta solla mbrëmë” nga Era Azemi, si dhe kolazhi “Ju këndojmë nga Ilirija” sjellur nga grupi i këngëtarëve.
Madhështia e kësaj feste u shoqërua me mysafiren speciale, e ftuar enkas për të shënuar 22 nëntorin së bashku me shqiptarët! Ikona e këngës kombëtare znj.Shkurte Fejza, interpretoi mrekullueshëm këngën e pavdekshme “Mora udhë kah Manastiri”, shkruar nga poeti Faruk Tasholli, 35 vjet më parë, i cili ishte në sallë, dhe këngë të tjera që janë shëndrruar në himne për shqiptarët tashmë si “Mora Fjalë” dhe “Xhamadani”.
Pjesa tjetër e mbrëmjes vazhdoi me Vallen e Bareshës, koreografi nga Feim Leka dhe përshtatje muzikore nga Agron Syla. Kolorit në këtë mbrëmje solli muzika e pasur polifonike “Bijë Çobanësh” dhe “Cili je ti more burrë” interpretuar nga grupi i solistëve, për të kaluar në veri me këngët “Do të kemi Shqipërinë”, dhe “Jem Ilira jem Teuta” interpretuar nga Nexhat Suma. Një mbyllje e bukur e këtij blloku u bë me vallen “Malësorja” e Lorenc Antonit, koreografi e Artan Ibershimit.
Në skenë shkëlqeu aktori Xhevat Limani i cili solli fragmente nga vepra e Naim Frashërit “Bagëti e Bujqësi”, për të kaluar tek ajo më ekskluzivja, premiera absolute e valles “Viganët e Sharrit”, punuar nga koreografi Robert Nuha, sjellur në skenë në mënyrë fantastike nga vallëtarët e ansamblit.
Mbrëmjen e nderuar edhe telegramet e urimet e shumta nga miq e artëdashës të cilët nuk u kursyen që nga larg të përshëndesin të pranishmit dhe të na urojnë festën sikurse “Lidhja e krijuesve në Mërgatë, Valmir Aziri- aktualisht drejtor ne KIC – Stamboll, Zef Çuni- ish zv.ministër i Kulturës, ish presidenti i Kosovës prof.Fatmir Sejdiu, Ipeshkvi i Kosovës Don Lush Gjergji dhe imami Ferid Semili te cilët uruan drejtorin Tolaj për marrjen e mandatin e dytë, e përgëzuan për të gjitha sukseset që janë rezultat i një pune vetmohuese dhe pa fjalë dhe iu uruan të gjithë shqiptarëve 115 vjetorin e alfabetit shqip!
Ky koncert përfundoi me duartrokitje frenetike, eufori dhe tërë sallën e ngritur në këmbë ku zërit të rezistencës kombëtare Shkurte Fejza iu bashkangjitën të gjithë artistët dhe drejtori i ansamblit! Prezantimi u bë nga moderatorja e njohur Suela Demiri. Koncerti është pjesë e Programit vjetor artistik, miratuar nga Ministria e kulturës, mbështetur nga Ministria për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, dhe u transmetua direkt nga Radiotelevizioni i Maqedonisë, programi në gjuhën shqipe.
Magjia e kësaj mbrëmje u ndje në sallë, në ekran dhe në zemrën e çdo spektatori!
https://www.facebook.com/photo/?fbid=734179672076069&set=pcb.734183665409003
