12.8 C
Skopje
E premte, 18 Tetor, 2024

“Fronti Europian” ishin artistë të vërtetë të fjalëve boshe

Le të nderojmë një moment të paharruar në historinë tonë: koalicioni i Frontit Europian më në fund ka gjetur veten në opozitë pas 22 viteve në pushtet.

Shkruan Fatlind Selmani

Çfarë humbje e madhe për ne të gjithë!

Si do të mbijetojmë pa premtimet e tyre fantastike për ndryshim që kurrë nuk u materializuan?

Kush do të na shpëtojë tani me reformat e tyre të paprecedentë, që vetëm shkatërruan gjithçka që preknin?

Gjatë dy dekadave të sundimit të tyre, kemi pasur mundësinë unike të përjetojmë një rritje të pabesueshme të korrupsionit, një zhytje të paprecedentë të ekonomisë dhe një përkeqësim konstant të infrastrukturës. A mund të harrojmë sesi autostradat tona u kthyen në pista garash për gropa dhe rrugët u mbushën me premtime të thyera?

Oh, dhe sa do të na mungojnë ato reformat e tyre arsimore që krijuan një sistem me nepotizëm dhe profesora/esha të partisë, duke mos e përfyll aspak meritokracinë. Pa përmendur projektet madhështore për spitale të reja, që mbetën vetëm në letër, ndërsa qytetarët tanë pritnin në radhë të pafundme për shërbime shëndetësore bazike.

Po çfarë mund të themi për politikat e tyre ekonomike?

Një rritje spektakolare e borxhit publik, një arritje që do të mbahet mend për dekada.

Tani që Fronti Europian është në opozitë, do të kemi një Parlament më të mërzitshëm. Nuk do të kemi më ato deklarata të bujshme, të pabaza dhe të pafundme premtime që na mbajtën të argëtuar. Diskutimet do të bëhen të arsyeshme, të bazuara në fakte dhe realitete.

Oh, sa e mërzitshme! Kush do të na japë dramën e përditshme të skandaleve dhe humorin e pavetëdijshëm politik?

Pas gjithë këtyre viteve dështimesh dhe zhgënjimesh, duhet të pranojmë që Fronti Europian ishte një mjeshtër i vërtetë i premtimeve të mëdha dhe rezultateve të vogla. Duhet të pranojmë se ata ishin artistë të vërtetë të fjalës boshe dhe të premtimeve të parealizuara.

Pa ta, do të duhet të përballemi me një të ardhme ku zgjidhjet reale dhe të qëndrueshme janë të vetmet mundësi.

Sa zhgënjyese dhe e paimagjinueshme për ne që jemi mësuar me spektaklin e tyre të përditshëm!

Le të shpresojmë që opozita të sjellë një frymë të re dhe të arsyeshme, edhe pse kjo do të thotë fundi i një epoke të artë të premtimeve boshe dhe dështimeve të lavdishme. Qytetarët mund të marrin frymë më lehtë, por neve do të na mungojë ajo ndjenja e mrekullueshme e premtimeve që kurrë nuk realizoheshin dhe politikat që vetëm përkeqësonin situatën.

Ah, sa zhgënjyese!

Të ngjajshme

Të fundit