16.8 C
Skopje
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Fshatra të boshatisura, politikat e këqija shkak i shpërnguljes!

Rezultatet e regjistrimit të popullsisë kanë nxjerrë në pah se në Maqedoninë e Veriut është ulur dukshëm numri i të rinjve, me këtë dhe i fuqisë punëtore. Pritja më shpresë dhënëse për të rinjtë e Maqedonisë së Veriut është shndërruar pritja e terminit për të marrë viza për të shkuar në vendet evropiane, sidomos në Gjermani. Se të rinjtë e vendit tonë e duan punën dhe duan të punojnë është fakt i pa mohueshëm, përndryshe nuk do të arrinin të mbijetonin në shtetet evropiane aty ku puna është primare. Pra, ajo që u mungon të rinjve është një punë e sigurt për të pasur një mirëqenie sociale.  Por, si duket të rinjtë po preferojnë më mirë të presin para ambasadës gjermane se sa të presin që do të bëhet mirë në këtë vend, fundja kjo pritja para ambasadës është pritje afat shkurtër që pastaj ofron zgjidhje afatgjate e ndryshim drastik në mënyrën e jetesës dhe funksionimit. Kjo po çon deri në boshatisjen e fshatrave të shumtë kryesisht të banuar me shqiptarë, shkruan Zhurnal.

Fshati Tenovë pothuajse i boshatisur, banorët: Politikat e këqija shkak i shpërnguljes – 

Fshati Tenovë i komunës së Bërvenicës pothuajse është boshatisur tërësisht. Shumë shtëpi janë me dyer të mbyllura. Aty kanë mbetur vetëm më të moshuarit. Banorët ankohen se politikat e këqija, mungesa e investimeve kanë bërë që të rinjtë të marrin rrugën e mërgimit. Vetëm për 3 muaj, rreth 30 nxënës kanë marrë fletëshpërngulje.

“Rrugë pothuajse të zbrazëta. Lere që nuk shihen fëmijë në rrugë por nuk ka as të rritur. Këtu në sheshin e fshatit edhe kafeneja rezulton bosh. Ky është fshati Tenovë i cili nga migrimet në mërgim, ka mbetur i këtillë pothuajse i zbrazur”, raporton Alsat.

Banorët e Tenovës së Brvenicës, ankohen se në këtë gjendje janë si pasojë e politikave të këqija të shtetit, pasi asnjëherë nuk u investua për hapjen e vende të reja të punës dhe investimeve në bujqësi. Një i moshuar që e takuan tha se nipat dhe mbesat po rriten larg syve të tij, pasi fëmijët i kanë migruar jashtë.
“ne kemi rreth 400 shtëpi, të mos e teproj por rreth 350 janë jashtë. Të rinj s`ka, gjithë janë jashtë. Kjo ndodh sepse nuk kemi shtet nuk kemi ekonomi. S’ka punë, bujqësinë e shkatërruan, edhe më shumë ikin nga sistemi s`ka shtet të së drejtës. Djalin e kam në Itali që prej vitesh, atje rriten nipat mbesat. Djali nëse kthehet kur të pensionohet mirë nëse jo do mbetet atje”, u shpreh një banorë i Tenovës për Alsat.

“ Gjithnjë e më pak njerëz ka fshati, çdo ditë migrojnë, e deri kur kjo nuk e di. Krejt si mungesë e punësimeve është, shteti dobët merret me këtë gjë kjo është. I gjithë problemi është tek kushtet, punësimi, shteti duhet të kujdeset të sigurojmë bukën. Po të kishim një dy të punësuar në familje nuk do shkonim. Kohën e fundit nuk ka këtu as punë fushe, s`ka kush e punon tokën bujqësia më s’paguhet. Do mbeten vetëm pleqtë. Djali im iku nusja iku mbesim vetëm pleqtë. Tash do ike edhe e reja, fëmijët dhe kështu është në gjitha shtëpitë”, tha një tjetër banor i Tenovës.

Nga ana tjetër kujtojmë që trendi i migrimit, ka zbrazur shkollat në gjithë vendin, dhe ky fenomen tashmë i njohur dhe i pritur i shpërnguljes është i përhapur kryesisht në zonat e banuara me shqiptarë. Vetëm tre muaj, rreth 30 nxënës kanë kërkuar fletëshpërnguljet.

Ikja e qytetarëve nga vendi po vazhdon me hov të madh, ikje që është pa kthim –

Ikja e qytetarëve nga vendi është një temë që ka filluar dhe nuk po mbaron dot, fundi nuk i dihet mbase po parashihet se kjo temë do të përflitet deri sa të ikë edhe qytetari i fundit. Flasim për një ikje e largim masiv në kushte paqësore, që mbase është krijuar sikurse shprehi e rutinë që po erdhe në moshën madhore duhet të largohesh nga ky vend. Kjo ikje nuk ka të ndalur do të vazhdojë ende, e këtë nuk po e thonë klientët e “çajtoreve” por rezultatet e hulumtimeve mbi këtë temë. Shifër tmerruese ku 42 për qind e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut do të largoheshin nga vendi nëse do të pajiseshin me të gjitha dokumentet e nevojshme. Gatishmërinë më të madhe për t’u larguar e kanë treguar të rinjtë dhe ata me arsim më të lartë – universitet, sipas rezultateve të anketës së Gallup International Association. Kjo flet për realitetin që shihet në terren, ku kjo pakicë që ka mbet për një kohë të shkurtë do të përgjysmohet në masë shumë të madhe.

Siguria është nevojë elementare e bazike për të jetuar kudo në cilin do vend. Por, krahas mungesave tjera që janë të shumta në vendin tonë mungon edhe siguria. Mungesa e sigurisë prodhon ndjenjën e frikës dhe të qenurit i pasigurt në vendin tënd të lindjes, ndërkaq padrejtësia e vështirëson mbijetesën në këtë vend sepse duhet të përballesh me një sistem të kalbur të drejtësisë. Mund të vritesh në vend publik ngjashëm sikurse në vend të fshehtë nga ajo vrasje mbeten vetëm viktimat dhe mbetjet e plumbave, asgjë më shumë.

Pasiguri e madhe, besimi i ulët në gjyqësi, institucionet e papërgjegjshme që nuk janë fare në shërbim të qytetarëve, mungesa e meritokacisë, papunësia, zhvillimi i dobët ekonomik, krizë gjithandej, këto janë shkaqet kryesore që të rinjtë dëshpërohen deri në palcë dhe vendosin që këtë dëshpërim ta ngushëllojnë me largim nga vendi. Sepse, në të kundërtën nuk kanë fuqi t’ia dalin dot me këtë sistem të vjetruar që nuk prodhon perspektivë dhe kushte normale për jetesë. /Zhurnal.mk

Të ngjajshme

Të fundit