Koalicioni VLEN është në fazën finale të përzgjedhjes së kandidatit për Komunën e Çairit dhe në garë janë tre emra të njohur për opinionin; Visar Ganiu, Bekim Sali dhe Kaltrina Zekolli Shaqiri, shkruan POPULLI.mk
Deri më tani, emri më i përfolur është ai i Visar Ganiut, i cili ka udhëhequr me komunën për dy mandate dhe ka pasur shumë kritika për mos përmbushjen e premtimeve nga “Kontrata” dhe “Agjenda e gjelbërt”.
Ndërkohë, një tjetër emër që po merr gjithnjë e më shumë pëlqim është ai i Bekim Salit, ish-ministër i Shëndetësisë, një figurë e respektuar dhe e pranueshme për shumë çairas, veçanërisht për qëndrimin e tij të matur dhe profesional në poste shtetërore.
Në garë është edhe zv.ministrja aktuale e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, e cila në pak muaj ka treguar se posedon kapacitet dhe vendosmëri për të udhëhequr. Nëse VLEN do të vendoste për të, ajo do të ishte gruaja e parë që garon seriozisht për të qenë kryetare e Çairit – një hap i rëndësishëm për thyerjen e një tabuje politike në këtë komunë.
Në anën tjetër, nga BDI emri më i përmendur është ai i Bujar Osmanit, ndërsa një alternativë e mundshme është Abdulselam Selami, ish-drejtor dhe njohës i mirë i terrenit lokal.
Garën për Çairin pritet ta karakterizojë një rivalitet i fortë, ndërsa vendimi përfundimtar nga VLEN do të jetë vendimtar për drejtimin e kësaj komune me peshë të madhe politike. / © POPULLI.mk




