6.8 C
Skopje
E martë, 3 Dhjetor, 2024

Gjithë hallet e “Trump”-istëve shqiptarë, pas “fitores”

Shkruan: Mero Baze

Fitorja e Donald Trump në SHBA ka trazuar shumë opozitarët në Shqipëri, sidomos ata që pretendojnë se janë mbështetës “ideologjikë” të tij. Mes tyre, në Shqipëri shquajnë mbështetësit e Sali Berishës dhe luftëtarët “anti-Soros”, të cilët, të dëshpëruar nga humbjet pa fund, shpresojnë të përdorin fitoren e Trumpit për të mbajtur moralin lartë, derisa të fillojë fushata elektorale.

Por më shumë se sa të gëzuar nga fitorja e Trump, ata janë të nervozuar përse kundërshtarët e tyre, sidomos Edi Rama, nuk janë të shqetësuar nga fitorja e Trump. Dhe këtu ka një sërë kontradiktash që atyre ua vështirësojnë përrallën që duhet t’u tregojnë njerëzve për fitoren e Trumpit.

Në planin e brendshëm, gjithë lufta e tyre është kundër Reformës në Drejtësi, të cilën pretendojnë se e kontrollon Edi Rama dhe Sorosi në SHBA. Tani, me ndërrimin e pushtetit, sipas logjikës së tyre, drejtësia e re do të kontrollohet nga Trumpi, i cili do të zëvendësojë Sorosin, dhe natyrisht Edi Rama nuk ka shans të ketë më pushtet.

Shpresa e tyre është se presidenti Trump ka vuajtur vetë nga drejtësia amerikane dhe do ta kuptojë hallin e tyre, duke eliminuar Reformën në Drejtësi në Shqipëri.

Por kjo nuk i kënaq, sepse kjo do të përfshijë edhe Edi Ramën. Ajo që ishte ideale në mendjen e tyre, është që presidenti Trump, sapo të hyjë në Shtëpinë e Bardhë, të anashkalojë Reformën në Drejtësi në Shqipëri dhe të caktojë një komisar që ta urdhërojë që tani e tutje Reformën në Drejtësi, ta kontrollojë Sali Berisha.

Është pak banale, por kjo është ëndrra e “demokratëve” në Tiranë. Mjerisht, nga kjo ëndërr fiton më shumë Edi Rama se sa ata, edhe pse është thjesht një ëndërr. Ndaj bëhen nervozë.

Në planin politik, mbështetësit e Berishës kanë arritur të artikulojnë plot guxim se SHBA mund të rishikojë sanksionet kundër politikanëve “non grata”, me argumentin se janë të djathtë si Trumpi.

Madje për këtë japin edhe shembuj sanksionesh të vjetra nga SHBA që janë hequr, por që nuk kanë asnjë lidhje me nenin me të cilin është sanksionuar Berisha nga Departamenti i Shtetit. Sanksionet e Departamentit të Shtetit për korrupsion madhor dhe dëmtimin e demokracisë janë legjislacion i ri, së bashku me sanksionet e Departamentit të Thesarit apo presidentit të SHBA për politikanë që ndjekin politika destabilizuese.

Tërheqja e sanksioneve natyrisht nuk ndodh, dhe më i qartë se të tjerët për këtë është Berisha, por ai shpreson se disa muaj deri sa të vijë fushata elektorale, mund të flasë për këtë.

Ai u zhgënjye një herë fort në vitin 2001, kur, pas fitores së Xhorxh Bushit, i shkroi një letër të gjatë babait të tij, Bushit të vjetër, të cilin e kishte pritur dy herë privatisht në Tiranë dhe Vlorë, me shpresë që ta përdorte si mbështetje politike për fitoren e Bushit në SHBA. Madje shkoi privasisht edhe në bulevardin “Pensilvania” në Uashington, ku populli mbushte rrugën ditën e inaugurimit të presidentit.

Por Bushi i ktheu përgjigje private letrës pas disa muajsh, duke i shkruar se nuk kishte shijuar shumë fitoren e Xhorxh Bushit si president, pasi ishte inatosur nga përbaltja e Jeb Bushit si guvernator i Floridës, që e kishin akuzuar për vjedhje votash. Dhe natyrisht kishte injoruar pjesën tjetër të letrës. Disa muaj më vonë, Ilir Meta dhe Anastas Angjeli u fotografuan me Bushin në Shtëpinë e Bardhë dhe me sekretarin e ri të shtetit, Colin Pouell.

Akoma janë në hall me betejën e tyre diplomatike. Akuza kryesore e Berishës dhe mbështetjeve të tij ndaj Edi Ramës është se ai ka dashur të përkrahë planin e administratës Trump për ndarjen e Kosovës në një marrëveshje Thaçi-Vuçiq, ku Rama ishte si garant për Thaçin. Plani nuk u realizua pasi Hashim Thaçi u arrestua nga Jack Smith, prokurori që dënoi dhe Trumpin në SHBA.

Vuçiç po fluturon nga gëzimi nga fitorja e Trumpit. Madje, edhe Dodik në Bosnjë i ka dërguar telegram urimi, edhe pse është nën të njëjtat sanksione si Berisha.

Tani që Berisha të përpiqet të përfitojë nga politika e jashtme e Trumpit, duhet t’i vjedhë “meritat” Edi Ramës, dhe duhet të bëhet ndërmjetës për ndarjen e Kosovës, që ka qenë një plan serioz i administratës së Trumpit. Në këtë rast, meqë nuk është në pushtet, duhet të mbështesë Edi Ramën në këtë plan, të mbrojë “miqësinë” e tij me Vuçiçin, dhe së bashku të japin konsensus për planin e Trumpit. Nese dhe Grenell bëhet sekretar Shteti, ka mundësi që edhe Çim Peka, dhe Bleona, është dakord me këtë gjë.

Akoma më keq e komplikon situata me qeverinë e Kosovës, e cila natyrisht është kundër këtij plani, por gjithashtu ka raportet e këqija me këtë administratë dhe jo më me Trumpin, të cilin e quajnë armik pasi e ka rrëzuar njëherë nga pushteti. Pra, për të përfituar nga politika e jashtme e Trumpit, Berisha duhet të bëhet mik me Vuçiçin, armik me Kurtin, mbështetës i Ramës dhe mik i Dodikut. Nga të gjithë këta, vetëm këtë të Dodikut mund ta bëjë me qejf, si bashkëvuajtës.

Natyrisht, asgjë e tillë nuk do ndodhë, pasi kështu vetëm sa i lehtësojnë hallet Edi Ramës dhe i japin të drejtë akuzave të padrejta që i kanë bërë atij për këtë çështje. Dhe ky është një hall i madh, që i bën nervozë.

Por le t’i harrojmë hallet këto ditë. Derisa të hyjë në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar, ka boll kohë të gënjejë demokratët se të gjitha këto do të bëhen. Pastaj, e vetmja gjë që mund të bëjnë është të mbështesin ndonjë leje ndërtimi në Sazan dhe Zvërnec, që mund të sjellë qeveria në Kuvend për familjen Trump.

Të ngjajshme

Të fundit