Koalicioni VLEN dhe Kryeministri Mickoski thonë se nuk ndodh asgjë. Në mes të tensioneve të krijuara përreth çështjeve që lidhen me gjuhën shqipe dhe ndryshimet e propozuara ligjore, Koalicioni VLEN dhe kryeministri Hristijan Mickoski kanë deklaruar se situata është e qëndrueshme dhe se nuk pritet ndonjë zhvillim dramatik, shkruan POPULLI.mk
Sipas tyre, shqetësimet e ngritura nga Fronti Evropian dhe opozita janë të fryra dhe synojnë të krijojnë panik të panevojshëm në opinionin publik.
Ndërkohë, Fronti Evropian ka ngritur çadra (tenda) para Gjykatës Kushtetuese dhe ka bërë thirrje për një protestë masive nesër në ora 09:00, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së statusit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut. Ata pretendojnë se disa masa të fundit ligjore mund të rrezikojnë përdorimin e saj si gjuhë zyrtare. Mazhoranca e ka cilësuar këtë si një “show politik” të opozitës dhe një përpjekje për të përfituar kapital politik nga një temë delikate. Megjithatë, autoritetet kanë garantuar se asnjë masë e ndërmarrë nuk do të cënojë gjuhën shqipe apo të drejtat e qytetarëve shqiptarë. / © POPULLI.mk