25.8 C
Skopje
E enjte, 19 Qershor, 2025

Gjuha shqipe në institucione nga përjashtimi simbolik në praninë funksionale!

Gjuha shqipe siduket është bërë një nga temat kryesore në vend, në drejtim të përdorimit të saj. Ka akoma politikanë albanofob që kanë frikë nga gjuha shqipe, por ka edhe politikanë shqiptarë që nuk e kanë këtë breng. Për fat të mirë përurimi i Departamentit të rikonstruktuar për punë administrative pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme në Shkup është më shumë sesa një investim infrastrukturor është një akt i rikthimit të dinjitetit gjuhësor në zemër të administratës shtetërore, pasi tabela është e vendosur edhe në gjuhën shqipe. Pa provuar talljen, pritur reagimet, e pastaj të merren masat. Kështu që, kësaj radhe është vepruar saktë dhe drejt, shkruan Zhurnal.

A po i rikthehet dinjiteti gjuhës shqipe?

Përurimi i Departamentit të rikonstruktuar për punë administrative pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme në Shkup është më shumë sesa një investim infrastrukturor është një akt i rikthimit të dinjitetit gjuhësor në zemër të administratës shtetërore. Për herë të parë, qytetarët shqiptarë mund të ndihen të trajtuar jo si palë “e duruar”, por si palë e barabartë, në një institucion që historikisht ka qenë simbol i centralizimit dhe i diskriminimit të heshtur.

Ky zhvillim është rezultat i angazhimit të koalicionit VLEN, të cilët duket se po e shohin gjuhën si çështje të drejtësisë, e jo si çështje folklori politik. Vetë prezenca e gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e këtij institucioni nga mbishkrimet në hyrje e deri tek ndërveprimi me qytetarët është dëshmi se kushtetuta nuk është më letër e vdekur, por kornizë reale funksionale.

Historikisht, përdorimi i gjuhës shqipe në institucionet shtetërore është lënë në mëshirë të vullnetit politik të momentit, shpesh i reduktuar në përkthime të mangëta ose prani formale në dokumente. Tani, ajo që po ndodh në Departamentin e punëve administrative në Shkup është ndryshim paradigme nga një përdorim pasiv dhe simbolik i gjuhës, në përdorim të gjallë dhe të ndërveprueshëm.

Trajnimi i stafit, përzgjedhja përfaqësuese e punonjësve, ndërveprimi dygjuhësh dhe qasja reale të gjitha këto tregojnë se përdorimi i shqipes nuk është më një koncesion politik, por një e drejtë e integruar.

VLEN si katalizator i normalizimit gjuhësor –

Roli i VLEN-it në këtë transformim është i pamohueshëm. Duke e vendosur gjuhën shqipe si temë thelbësore të qeverisjes, ky koalicion po sfidon idenë e vjetër se barazia gjuhësore është “kompromis” ose “rrezik për unitetin shtetëror”. Përkundrazi, për VLEN-in, përdorimi i gjuhës amtare është kriter minimal për një demokraci funksionale.

Kjo qasje pragmatike dhe dinjitoze po prodhon rezultat shqiptarët nuk ndihen më si vizitorë në zyrat e shtetit të tyre, por si qytetarë që flasin gjuhën e tyre pa pasur nevojë për përkthyes të heshtur apo shikime të ftohta.

Departamenti në Shkup është një shembull pilot, por nuk duhet të mbetet përjashtim. Sfida e radhës për VLEN dhe për qeverinë është shtrirja e këtij standardi në çdo institucion shtetëror, nga komunat më të vogla deri në agjencitë qendrore, nga spitalet deri te gjykatat. Barazia gjuhësore duhet të bëhet normë, jo përjashtim i lokalizuar në ndonjë institucion që përuron projekte. Për më tepër, përfshirja e gjuhës shqipe duhet të përparojë përtej shkrimit në teknologji, dokumente digjitale, sistemet elektronike, dhe edukimin publik, për të ndërtuar një shoqëri të integruar dhe jo të fragmentuar.

Kujtojmë që, përdorimi i gjuhës shqipe në institucione nuk është çështje vetëm gjuhësore. Është çështje statusi, përfaqësimi dhe dinjiteti. Prandaj, më shumë se kurrë vjen në shprehje një koncept të ri që gjuha nuk është më simbol, por infrastrukturë e barazisë. Sot, shqiptarët nuk e kërkojnë përdorimin e shqipes si nder, por e gëzojnë si të drejtë. Kjo është demokracia që funksionon. Kjo është barazia që nuk negociohet. /Zhurnal.mk

Të ngjajshme

Të fundit