25.4 C
Skopje
E mërkurë, 17 Qershor, 2026

Gjykata Kushtetuese rrëzon ndarjen “rezident – jo rezident”, Zejdi e cilëson fitore historike për diasporën shqiptare

Deputeti Skender Rexhepi – Zejdi ka përshëndetur vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, që rrëzon si jokushtetuese ndarjen e qytetarëve në “rezidentë” dhe “jo-rezidentë” në procesin e regjistrimit të vitit 2021, informon POPULLI.mk

Sipas tij, ky është një vendim historik dhe një fitore e madhe për diasporën shqiptare, e cila deri më tani ishte përjashtuar padrejtësisht përmes metodave diskriminuese dhe statistike nga pjesëmarrja e barabartë në jetën publike.

“Kjo ndarje absurde dhe diskriminuese e qytetarëve, e bërë përmes një metodologjie joligjore, më në fund u shpall antikushtetuese. Ky vendim është rezultat i një iniciative që ne e dorëzuam në Gjykatën Kushtetuese, duke mbrojtur të drejtën e çdo shqiptari për të qenë i barabartë, kudo që ndodhet”, ka deklaruar Rexhepi.

Ai theksoi se me këtë vendim, diaspora nuk mund të përjashtohet më, dhe çdo përpjekje për ta konsideruar si qytetarë “të dorës së dytë” është rrëzuar përfundimisht nga drejtësia.

“Ju që jetoni në mërgim, që mbani familjet dhe kontribuoni ekonomikisht – sot keni fituar një betejë të rëndësishme për dinjitetin tuaj. Askush nuk mund t’ju përjashtojë më me mashtrime statistikore apo lojëra politike”, theksoi deputeti.

Rexhepi e cilësoi këtë vendim si një precedent të rëndësishëm kushtetues, që do të shërbejë në çdo betejë të ardhshme për të drejtat e barabarta të shqiptarëve në vend dhe në diasporë. / © POPULLI.mk