Dëshmia e dëshmitarit anonim A2 në rastin “Banjska”, është dëgjuar në seancë të mbyllur për publikun. Kërkesë për këtë bëri prokurori i rastit, Naim Abazi, i cili tha se ky dëshmitar është anonim dhe se kërkesa e tij synon mbrojtjen e dëshmitarit dhe gjithë procesit gjyqësor. Kjo kërkesë më pas u miratua nga trupi gjykues ndonëse pati kundërshtime nga mbrojtja e të akuzuarit, Blagoje Spasojeviq.
Edhe këtë të hënë me pranga në duar e me siguri të lartë u sollën në gjykatore tre të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.
Në nisje të shqyrtimit të sotëm gjyqësor për këtë rast, prokurori i rastit, Naim Abazi kërkoi mbyllje të seancës për publikun gjatë dhënies së dëshmisë së dëshmitari A2.
Sipas tij, në rast se seanca është e hapur cenohet sigurua e dëshmitarit dhe procesi gjyqësor.
“Kërkojmë që kjo seancë e hapur të publikun të mbyllet përkohësisht gjatë administrimit të dëshmisë së dëshmitarit anonim A2 i cili në procedurë gëzon statusin e dëshmitarit anonim.…me qëllim që të garantohet siguria fizike e dëshmitarit dhe për të ruajtur integritetin e procedurës penale. Përmbajtja e dëshmisë së këtij dëshmitarit përfshirë rrethanat dhe informacionet që në rast të ekspozimit në këtë seancë publike mund të cenojnë sigurinë e tij dhe të procesit gjyqësor dhe rrjedhimisht mund të ndikoj negativisht në mbarëvajtjen e shqyrtimit gjyqësor. Prandaj, në përputhje me paragrafin 289 të Kodit të Proceudrës Penale konsiderojmë se përjashtimi i individëve të caktuar nga salla nuk do t’ ishte i mjaftueshëm për të garantuar mbrojtjen e nevojshme andaj kërkohet mbyllja e plotë e seancës për publikun gjatë dëshmisë së tij”, tha ai.
Kundër kësaj kërkesë ishte Lubomir Pantoviq, mbrojtësi i të akuzuarit, Blagoje Spasojeviq. Ai tha se Prokuroria nuk paraqiti arsye konkrete për mbyllje të seancës.
“Kjo çka pretendon prokurori që seanca e hapur do të ndikonte negativisht tek dëshmitari anonim dhe kjo seancë apo proces në tërësi edhe unë do të pajtohesha me këtë po të dëgjonim nga Prokuroria arsye konkrete për të cilat prania e publikut do të ndikonte negativisht si në dëshmitar ashtu edhe në proces. Pra, ne arsye konkrete nuk kemi dëgjuar nga prokuroria, ashtu që propozoj që të mos e pranoni këtë propozim” , deklaroi pala mbrojtëse.
Më pas trupit gjykues në kryesim të gjyqtarit, Arben Hoti aprovoi kërkesën e Prokurorisë, kështu duke marrë vendim për mbyllje të seancë gjatë dëgjimit të dëshmitarit anonim A2.
“Aprovohet propozimi i prokurorisë që seanca të kaloj në seancë të mbyllur gjatë dëgjimit të dëshmitari anonim A2 kjo bazuar në nenin 289 të Kodit të Procedurës Penale me qëllim të mbrojtjes së dëshmitarit. Andaj, iu lutem ta lironi sallën”, deklaroi ai.
Seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të tre akuzuarve në rastin “Banjska” Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq u mbajt më 17 prill 2025. Po në këtë seancës të tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm. Ndaj këtyre tre të akuzuarve Gjykata mori vendin ta veçoj procedurën penale.
Prokuroria Speciale e Kosovës më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiq dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjska të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku.
Të pandehurit ngarkohen për veprat penale kryerja e veprës terroriste, veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit dhe shpëlarja e parave.
42 të akuzuar, përfshirë edhe Milan Radoiçiq, që e pranoi publikisht se udhëhoqi sulmin në Banjskë, janë në arrati.