Kënaqësi të isha sot në Tiranë për të marrë pjesë në prezentimin e mega projektit të Portit të Durrësit dhe për të nënshkruar Marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, për zhvillimin e projekteve infrastrukturore, sigurinë logjistike dhe efikasitetin e transportit të mallrave ndërmjet dy vendeve.
Përgëzova qasjen transparente të Kryeministrit Rama dhe Qeverisë së Shqipërisë për të ndarë detajet mbresëlënëse të një projekti jashtëzakonisht të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të mbarë Ballkanit Perëndimor dhe që bashkë me Korridorin 8 rrugor dhe hekurudhor paraqesin dy projekte madhore që do të përforcojnë edhe më shumë lidhjen e pashkëputshme mes qytetarëve të vendeve tona dhe mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Me Marrëveshjen që nënshkruam sot formalizuam edhe një ide madhore, realizimin e Portit të thatë në qytetin e Strugës si një dimension i ri dhe kreativ komunikimi që padyshim se do të kontribuojë në përforcimin e këmbimit tregtar mes vendeve tona dhe është pjesë e pandarë e ndërtimit të portit të ri të Durrësit.
