Lëvizja Vetëvendosje zyrtarizoi sot kandidaturën e Hajrulla Çekut për kryetar të Komunës së Prishtinës në zgjedhjet e ardhshme lokale. Me këtë rast, Çeku tha se nuk po nisin thjesht një fushatë, por një rrugëtim të gjatë drejt transformimit të kryeqytetit në një vend më të jetueshëm për të gjithë, informon POPULLI.mk.
“Sot nuk po nisim vetëm një fushatë, por një rrugëtim afatgjatë për kryeqytetin që duam. Ky është bashkim vullnetesh i njerëzve që Prishtinën e duan përnjëmend. Lëvizja për Prishtinën ka filluar,” u shpreh Çeku në fjalën e tij.
Ai theksoi rëndësinë e përfshirjes së qytetarëve në hartimin dhe zbatimin e zgjidhjeve për problemet e përditshme të qytetit. “Zgjidhjet konkrete për problemet e Prishtinës do t’i hartojmë dhe zbatojmë bashkë me qytetarët,” tha ai.
Çeku falënderoi kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, kryesinë dhe aktivistët për besimin që i është dhënë, duke premtuar se ky besim do të kthehet në fitore dhe qeverisje të mirë.
“Angazhimi fillon sot. Për Prishtinën tonë — të pastër e të gjelbër, me duar të pastra, vizion zhvillimor dhe mirëqenie për të gjithë, veçanërisht për ata që kanë më së shumti nevojë,” deklaroi kandidati i VV-së, duke përfunduar me thirrjen: “Na priftë e mbara dhe dalshim faqebardhë!” / © POPULLI.mk