3.8 C
Skopje
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Heshtja ndërkombëtare, përgjigjja më e zëshme karshi letrave të Ali Ahmetit

Në skenën politike të Maqedonisë së Veriut, çuditë nuk mungojnë kurrë. Kemi disa muaj që e shohim një tjetër akt të teatrit politik, shkruan POPULLI.mk

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se i ka dërguar letër ndërkombëtarëve, por heshtja e tyre ishte përgjigjja më e zëshme për të dhe Frontin Europian. Ndërkohë, Menduh Thaçi nuk ngurroi të japë interpretimin e tij të ngjarjes, duke deklaruar se ndërkombëtarët nuk kanë asnjë interes për të ashtuquajturin Front Europian dhe se nuk i kanë marrë parasysh letrat e dërguara.

Është tepër ironike të shohësh se si BDI vazhdon të thirret në legjitimitetin që pretendon të ketë nga votuesit shqiptarë, ndërsa realiteti është krejtësisht ndryshe. Kemi një Koalicion VLEN i përbërë nga 4 parti shqiptare, ndërsa Fronti Europian i Ali Ahmetit dhe të tjerëve është i përbërë nga disa bashkësi. Pra, duke parë se tanimë ata (BDI) janë në opozitë, me çfarë nuk ishin mësuar më herët lind pyetja: me çfarë po i ushqen BDI votuesit e saj?

Prej shumë vitesh, BDI ka kultivuar një narrativë ku shqiptarët e Maqedonisë së Veriut u paraqiten si faktor kyç në proceset shtetformuese. Kjo retorikë ka funksionuar për vite të tëra, duke krijuar iluzionin se çdo lëvizje politike bëhet për “të mirën e shqiptarëve”. Por a mjafton vetëm retorika në mungesë të rezultateve konkrete?

Në terren, qytetarët përballen me papunësi, mungesë perspektive, dhe migrim masiv të shqiptarëve dhe jo veëm. Në vend që të ofrojë politika të prekshme për përmirësimin e jetës së shqiptarëve, BDI duket se po mban gjallë mbështetjen përmes premtimeve të mëdha dhe thirrjen e përditshme për protesta në mbrojtje të legjitimitetit.

Ndërkombëtarët, me sa duket, kanë vendosur të heshtin. Dhe kjo heshtje mund të interpretohet si mesazh për BDI-në e Ali Ahmetit dhe Frontin Europian, se retorika europiane nuk mjafton më, dhe se Maqedonia e Veriut duhet të prodhojë politika reale që adresojnë problemet e qytetarëve.

Në këtë kontekst, Menduh Thaçi kishte të drejtë për një gjë se ndërkombëtarët nuk janë të interesuar për një “Front Europian” që ekziston vetëm në letër. Ata presin veprime konkrete dhe përparime të matshme nga politikanët në RMV.

Për BDI-në, sfida kryesore është ta ruajë mbështetjen e përkrahësve në një periudhë tepër të vështirë që nuk dihet se sa do të jetë në opozitë. Nëse vazhdon të mbështetet vetëm tek retorika dhe lojërat politike, pyetja nuk është nëse do të humbasë mbështetjen e përkrahësve, por kur do ta humbasë ?!

Në fund, votuesit janë ata që mbajnë në këmbë një parti politike. Nëse ata vazhdojnë të ushqehen vetëm me fjalë, e ardhmja e BDI-së mbetet e pasigurt. Pasiqë ditëve të fundit kanë filluar edhe kritika brenda partisë kundrejt kryetarit Ahmeti për rikthimin e figurave të vjetra në vijën e parë sa i përket takimeve me qytetarët. Politika kërkon më shumë sesa letra pa përgjigje. Kërkon vizion, veprime konkrete dhe rezultate të prekshme. A i ka BDI këto? Kjo mbetet për t’u parë. / © POPULLI.mk

Të ngjajshme

Të fundit