Ministri i Ekologjisë, Muhamet Hoxha, së bashku me kryeministrin Hristijan Mickoski, ka vizituar sot Idrizovën në komunën e Gazi Babës, ku nga afër kanë inspektuar punimet për realizimin e projektit për ndërtimin e kanalizimit sekondar fekal dhe katër stacioneve të pompave për ujë, informon POPULLI.mk
Për realizimin e këtyre projekteve kapitale, të cilat kanë rëndësi të veçantë për banorët e Idrizovës dhe mbrojtjen e mjedisit në këtë zonë, Ministria e Ekologjisë ka ndarë 50 milionë denarë nga buxheti i saj.
Ministri Hoxha tha se investimet në infrastrukturën e ujërave të zeza dhe projektet mjedisore janë pjesë e përpjekjeve për të krijuar zgjidhje të qëndrueshme për problemet me të cilat përballen qytetarët.
“Me të gjitha projektet e financuara nga Ministria, të cilat i kam vizituar deri më tani, si dhe me këtë projekt, po vendosim themelet për ndryshimin e gjelbër në fushën e mjedisit jetësor në mbarë vendin”, deklaroi Hoxha.
Ai theksoi se investimet do të vazhdojnë me synimin për të ofruar zgjidhje sistematike dhe afatgjata për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe mbrojtjen e mjedisit.
“Vazhdojmë të investojmë në zgjidhje sistematike që zgjidhin në mënyrë të qëndrueshme problemet e qytetarëve”, u shpreh ministri i Ekologjisë. / © POPULLI.mk




