20.8 C
Skopje
E shtunë, 15 Gusht, 2026

Hoxha: Nuk bëhet fjalë për punësime të reja, por për avancime të stafit ekzistues

Zëvendësministri i Bujqësisë, Albrim Hoxha, ka reaguar sot lidhur me informacionet për punësimet në këtë dikaster, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për punësime të reja, por për avancime të brendshme të stafit aktual, informon POPULLI.mk

“Fillimisht një sqarim: nuk bëhet fjalë për punësime të reja, por për avancime të brendshme të stafit ekzistues në Ministrinë e Bujqësisë. Unë jam në detyrë vetëm tre javë. Këto janë procedura që janë nisur shumë kohë më parë – kur përgjegjës për sektorin ishte dikush tjetër,” ka shkruar Hoxha.

Ai thekson se është i vetëdijshëm për padrejtësitë ndaj shqiptarëve ndër vite në këtë ministri dhe se nuk do të heshtë përballë tyre.

“Ka qenë detyrë e ish-zëvendësministrit, që për gati një vit kishte përgjegjësinë për këtë dikaster, që të analizonte strukturën e stafit dhe të niste procedurat e avancimit për të punësuarit shqiptarë. Nuk e ka bërë. As që është shqetësuar. Është mjaftuar vetëm me emërimin e një shoferi personal,” shkruan Hoxha.

Ai ka akuzuar ish-funksionarët shqiptarë në këtë ministri, të cilët sipas tij, kanë lënë në vend numëro shumë punonjës shqiptarë.

“Sot në ministri ke shqiptarë që punojnë prej 10-15 vitesh me titullin ‘pomlad sorabotnik’, sepse kështu i ka lënë BDI-ja e Ali Ahmetit dhe Bujar Osmanit, partnerët më të rinj të z. Arben Taravari,” shton Hoxha.

Ai ka paralajmëruar se shumë shpejt do të ketë punësime të reja të merituara.

“Së shpejti, në Ministrinë e Bujqësisë do të fillojnë punë 20 shqiptarë të rinj, përmes procedurave të rregullta dhe të merituara. Gjithashtu, brenda këtyre tre javëve, kam detektuar edhe problemin sistematik të neglizhencës ndaj administratorëve shqiptarë. Shumë shpejt do të nisim procedurat konkrete për avancimin e tyre të ligjshëm dhe të merituar.”

Në fund, Hoxha ka theksuar se nuk do të ndalet përballë padrejtësive.

“Të tjerët kanë pasur vite për të vepruar. Ne do të kemi rezultate në pak javë. Spinat e frontmenëve nuk na dekurajojnë. Përkundrazi, na motivojnë. Po punoj me ndershmëri, do të vazhdoj me përkushtim, dhe nuk do të hesht përballë asnjë padrejtësie,” ka përfunduar Hoxha. / © POPULLI.mk