15.8 C
Skopje
E mërkurë, 22 Tetor, 2025

Humbësi në Çair, Bujar Osmani, thotë se AKI mbetet forca më e madhe te shqiptarët!

Bujar Osmani, humbësi i zgjedhjeve në Çair, ka komentuar rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve, duke theksuar rëndësinë e respektimit të kulturës politike dhe trashëgimisë së lënë pas nga BDI-ja, informon POPULLI.mk

“Çairi ishte një mësim, dhe çdo mësim pranohet me dinjitet. E mora përgjegjësinë time dhe e përgëzova fituesin, sepse edhe në këto rrethana dua të lë pas vetes një trashëgimi të kulturës politike, ashtu siç veprova gjatë gjithë fushatës,” tha Osmani.

Ai kritikoi, gjithashtu, sjelljen e disa aktorëve politikë nga VLEN, të cilën e konsideroi si arrogante dhe të papranueshme. “Nuk e pranoj që për këtë arsye të nëpërkëmbet rezultati i BDI-së dhe koalicionit,” shtoi ai.

Osmani nënvizoi se me 114 mijë vota, AKI mbetet forca më e madhe dhe përfaqësuesi legjitim i shqiptarëve, duke e cilësuar Ali Ahmetin si ideologun dhe udhëheqësin pakontestueshëm të shqiptarëve. Ai vuri në dukje se fyerjet ndaj Ahmetit nuk janë shenjë force, por shenjë dobësie morale.

Duke folur për raundin e dytë të zgjedhjeve, Osmani bëri thirrje për bashkim dhe vendosmëri: “Këto sulme të ulëta kanë një qëllim, të sjellin demoralizim para raundit të dytë, por do të ndodhë e kundërta: BASHKIM dhe VENDOSMËRI. Shqiptarët dhanë mbështetje masive në raundin e parë, dhe në raundin e dytë duhet ta konfirmojmë kush e mban realisht vullnetin e tyre politik.”

Ai përfundoi mesazhin duke ftuar të gjithë shqiptarët që të marrin pjesë masivisht dhe të konfirmojnë mbështetjen për AKI-në dhe Ali Ahmetin, duke e cilësuar këtë të fundit si “shtylla morale dhe ideore” të komunitetit shqiptar. / © POPULLI.mk

Të ngjajshme

Të fundit