Tensionet politike rreth përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet e drejtësisë po thellohen, ndërsa ish-kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, ka ndërmarrë një tjetër sulm publik ndaj ambasadorit të Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, duke përfshirë në retorikën e tij edhe ministren për Punë të Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, shkruan gazeta KOHA.
Reagimi i Ibrahimit vjen pas deklaratës së ish-ministrit të Brendshëm, Lubomir Fërçkovski, se studentët shqiptarë duhet t’i nënshtrohen provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, në të kundërtën bëhet fjalë për diskriminim, si dhe pas takimit të ambasadorit Meidani me Fërçkovskin.
Në një status në rrjetet sociale, Ibrahimi riktheu ngjarje të vitit 1992 në Bitpazar, duke e lidhur figurën e Fërçkovskit me dhunën ndaj shqiptarëve dhe duke kritikuar ashpër ata që, sipas tij, e paraqesin atë si vlerë politike.
Retorika e tij përfshiu edhe krahasime historike dhe thirrje ironike drejtuar zyrtarëve të lartë në Tiranë, duke e zhvendosur debatin nga dimensioni institucional drejt një përplasjeje të ashpër politike e emocionale.
Megjithatë, në diskursin publik bie në sy fakti se Ibrahimi nuk ka drejtuar kritika ndaj ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov, i cili ka ndaluar përdorimin e gjuhës shqipe në dokumente, as ndaj zyrtarëve të tjerë të akuzuar për keqtrajtim të nëpunësve shqiptarë në institucionet shtetërore, sikurse është zëvendëskryeministri Stoilkoviq.
Kjo heshtje selektive e Ibrahimit dhe sulmet e tij ndaj ambasadorit shqiptar po interpretohen si nga analistët ashtu edhe nga komentuesit në rrjete sociale si tregues i dyfytyrësisë dhe mungesës së guximit të Ibrahimit ndaj partnerëve të koalicipnit të cilët për çdo ditë po shfuqizojnë të arriturat shqiptare dhe po nënçmojnë shqiptarët në përgjithësi. (koha.mk)

