Deputetja e VLEN-it, Saranda Imeri-Stafai, ka ngritur një pikëpyetje të drejtpërdrejtë për liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, në lidhje me mungesën e tij në skenën diplomatike ndërkombëtare gjatë vitit të fundit, informon POPULLI.mk
Në një deklaratë publike të shpërndarë në rrjete sociale, Imeri-Stafai renditi një listë të gjerë përfaqësuesish të nivelit të lartë që kanë vizituar Maqedoninë e Veriut që nga formimi i Qeverisë së re.
Ajo përmendi emra si Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Kaia Kallas, Presidenti kroat Zoran Milanović, si dhe krerë të diplomacisë nga Turqia, Italia, Austria, Mali i Zi, Gjermania, Malta e vende të tjera.
Ndërkohë që të gjithë këta zyrtarë kanë zhvilluar takime me përfaqësues të institucioneve të vendit, sipas saj, lideri i BDI-së ka munguar tërësisht në agjendat e tyre. “Ali, pse askush nuk të ka takuar?”, shkruan Imeri-Stafai, duke lënë të kuptohet se ky mund të mos jetë thjesht një rastësi, por një formë izolimi të heshtur politik dhe diplomatik.
Ajo shton se në vend kanë qenë të pranishëm edhe personalitete të afërt me presidentin amerikan Donald Trump, si Howard Lutnick dhe Richard Grenell, përveç një numri të madh përfaqësuesish të organizatave ndërkombëtare si OKB, BE, OSBE dhe Këshilli i Evropës.
Sipas deputetes, kjo heshtje e diplomacisë ndërkombëtare ndaj BDI-së është një mesazh i qartë se kredibiliteti politik i kësaj partie është vënë në pikëpyetje edhe jashtë vendit.
“Kjo nuk është më çështje agjendash. Është çështje legjitimiteti,” përfundon ajo. / © POPULLI.mk