9.8 C
Skopje
E mërkurë, 5 Shkurt, 2025

Inaugurimi i Donald Tramp do të bëhet në hapësira të mbyllura, për herë të parë pas 40 vitesh

Presidenti i zgjedhur Donald Tramp sot edhe zyrtarisht do të marrë detyrën, me një sërë aktivitetesh që i paraprijnë dhe që e shoqërojnë pas inaugurimin e tij. Trump do të fillojë me shërbimin tradicional të lutjes në Kishën Episkopale të Shën Xhonit. Ao më pas shkon në Kapitoll. Ceremonia e tij është zhvendosur në ambiente të mbyllura pasi temperaturat janë shumë të ulëta duke e bërë atë ditën më të ftohtë të inaugurimit në 40 vjet.

Hapësira brenda ku do të bëhet inaugurimi ka kapacitet për vetëm 600 persona. Më shumë se 250,000 persona morën bileta për të parë inaugurimin nga hapësirat rreth Kapitoll.

Një ditë më parë, presidenti i zgjedhur mbajti darkën private të para inaugurimit në të cilën kishte të ftuar personalitete të rëndësishme, në mesin e të cilëve Elon Musk, Jeff Bezos, politikani Robert F. Kennedy Jr., dhëndri i Trump, Jared Kushner dhe nënpresidenti i sapozgjedhur Xhejms Dejvid Vens.

Trump tha se “nuk do të humbasë asnjë moment të vetëm” dhe tha se planifikon të nënshkruajë rreth 100 urdhra ekzekutivë në ditën e parë të presidencës së tij të dytë.

“Brenda orësh nga marrja e detyrës, do të firmos dhjetëra urdhra ekzekutivë, afërsisht 100 për të qenë i saktë. Ne nuk do të humbim asnjë moment në përmbushjen e premtimeve tona ndaj popullit. Ne do ta mposhtim shpejt krizën e inflacionit dhe do të zhbllokojmë arin e lëngshëm”, deklaroi Donald Tramp, President i zgjedhur i SHBA-së.

Në mesin e pjesëmarrësve zakonisht janë presidenti në largim dhe nënpresidenti në largim dhe familjet e tyre; ish-presidentët me bashkëshortet e tyre; anëtarë të kabinetit dhe të nominuar; 535 anëtarët e Kongresit; nëntë anëtarët e Gjykatës Supreme; ambasadorët e huaj; përfshirë këshilltarë dhe miq të ngushtë të presidentit në ardhje, por edhe donatorë të mëdhenj dhe të famshëm. Për shkak të hapësirës së ngushtë, për shumë prej tyre nuk do të ketë hapësirë brenda.

Në inaugurim nuk do të marrin pjesë as disa anëtarë demokratë të Kongresit, përfshirë Nensi Pelosin, një nga figurat më të fuqishme të partisë. Ndër personat e tjerë të shquar që nuk do të marrin pjesë në këtë ngjarje është edhe ish zonja e parë, Mishel Obama.

Inaugurimi bëhet në mesditë sipas orës lokale në Uashington.

Të ngjajshme

Të fundit