24.8 C
Skopje
E martë, 15 Korrik, 2025

Inter mohon ndryshimet masive, prioritet qëndrueshmëria e ekipit

Në radhët e Interit është përfolur shumë për një “revolucion” në merkato, por burime pranë klubit e mohojnë kategorikisht një skenar të tillë.

Në fakt, drejtuesit zikaltër kanë një ide krejt tjetër për të ardhmen, ajo e vazhdimësisë, siç është theksuar edhe nga presidenti Marota dhe nga vetë pronarët, të cilët dëshirojnë të ruajnë bërthamën kryesore të skuadrës në dispozicion të trajnerit Kivu.

Megjithatë, ka disa çështje të hapura. Më e ndjeshmja është ajo e mesfushorit Hakan Çalhanoglu. Aktualisht, nuk ka asnjë ofertë zyrtare për turkun, as nga Arabia Saudite, e as nga Gallatasaraj.

Nëse Çalhanoglu dëshiron të largohet, duhet ta shprehë qartë këtë dëshirë, gjë që ende nuk ka ndodhur. Nëse kjo ndodh, Interi nuk është i gatshëm të pranojë më pak se 25-30 milionë euro. Deri tani, nuk janë bërë hapa konkretë për zëvendësues. Ederson pëlqehet shumë, por kushton shtrenjtë. Pasi Lautaro shpërtheu me deklarata pas zhgënjimit në Botërorin për Klube, dhe vëmendja u kthye edhe nga sulmuesi Markus Turam.

U fol për klauzolën e tij prej 85 milionë eurosh dhe interesimin e klubeve angleze, por Interi është i qetë, pasi francezi konsiderohet pjesë qendrore e projektit dhe nuk ka sinjale largimi. Po aq të pabazuara janë edhe thashethemet që e lidhnin me Juventusin.

FRATEZI- Edhe mesfushori Davide Fratezi është i paprekshëm. Interi nuk ka ndërmend të heqë dorë nga ai, pavarësisht interesimit nga Atletiko Madrid dhe Mançester Junajtid. Vetë lojtari është entuziast nga puna me Kivunë dhe nuk sheh të ardhmen e tij larg Milanos.

DUMFRIS- Në rastin e Denzel Dumfris, ekziston një klauzolë largimi prej 25 milionë euro që skadon më 15 korrik. Një shumë që sot duket e ulët, por ishte e arsyeshme kur u vendos gjatë rinovimit të tij në një periudhë të ndërlikuar për lojtarin dhe klubin.

SULMI- Ndërkohë, Interi kërkon zgjidhje për sulmuesin Mehdi Taremi, i cili nuk bën më pjesë në planet e trajnerit. Largimi i tij pritet të hapë rrugën për konsolidimin e repartit ofensiv, i cili do të përbëhet nga Lautaro, Turam, Boni dhe me shumë gjasë Pio Espozito. Një sulmues i pestë do të vijë në fund të merkatos, sipas mundësive që do të dalin.

AFRIMET- Në kampin zikaltër ka edhe optimizëm për blerjet e reja. Mesfushori Suçiç tregoi potencial të madh në Botërorin për Klube dhe Kivu beson shumë në të, pavarësisht se i duhet ende përvojë. Nga ana tjetër, Luis Henrike nuk shkëlqeu, por klubi është i bindur se ai do të përshtatet me kohën dhe do të tregojë vlerat e tij, pasi ndryshimi i ambientit ka ndikuar negativisht në performancën e tij të parë. Si përfundim, Interi nuk po përgatit revolucion, por po ndërton mbi stabilitetin dhe besimin te forcat ekzistuese, me përforcime të kujdesshme dhe të menduara, një strategji që synon sukses afatgjatë, jo ndryshime të vrullshme.

 

 

 

Burimi / PANORAMASPORT.AL

Të ngjajshme

Të fundit